Më shumë se një dekadë pas nisjes së goditjes ndaj “tigrave dhe mizave”, miliona zyrtarë janë ndëshkuar, por spastrimi politik dhe administrativ i presidentit kinez vazhdon me të njëjtin intensitet...
Për një javë të tërë, mijëra delegatë hynë në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin për të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit politik të Kinës. Me Xi Jinping në krye, Kongresi Kombëtar i Popullit, i cili përfundoi të enjten, është një deklaratë vjetore mbi drejtimin që do të marrë Kina dhe mënyrën se si synon ta arrijë atë.
Megjithatë, nga procesi i organizuar me kujdes mungonin disa nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të besuar të Xi-t, si dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë. Rreth 100 delegatë nuk ishin të pranishëm në seancën hapëse, pasi ishin përfshirë në një valë të fundit shkarkimesh.
Karriget bosh tregojnë një histori ndryshe nga imazhi i qeverisjes së qëndrueshme dhe të bashkuar që Xi dhe Partia Komuniste e Kinës përpiqen të paraqesin. Ato janë dëshmia më e dukshme e fushatës së gjerë kundër korrupsionit që Xi nisi pasi u emërua sekretar i përgjithshëm i partisë në vitin 2012.
Më shumë se dhjetë vjet më vonë, kjo fushatë nuk tregon shenja ngadalësimi. Pse?
“Korrupsion, thjesht korrupsion”
Në vitin 2012, korrupsioni ishte realisht një problem i madh në Kinë. Partia Komuniste është një institucion gjigant, me më shumë se 100 milionë anëtarë dhe miliona zyrtarë. “Prandaj nuk është për t’u habitur që ka njerëz që bëjnë gabime ose janë të korruptuar”, thotë profesori Kerry Brown nga King’s College London.

Megjithatë, korrupsioni ishte bërë i përhapur. Zyrtarët nuk paguhen shumë mirë dhe sistemi drejtohet nga “një elitë e vogël politike me një sasi të jashtëzakonshme pushteti”, shpjegon Brown. Paraardhësi i Xi-t, Hu Jintao, e përshkroi korrupsionin si një sfidë shkatërruese që mund t’i kushtonte partisë mbështetjen e popullit. Prandaj Xi e bëri zhdukjen e tij një nga objektivat kryesore.
Pas kësaj pasuan një seri arrestimesh tronditëse. Në vitet 2012-2013, një skandal për përvetësim fondesh dhe vrasje rrëzoi Bo Xilai-n, një figurë në ngjitje në parti dhe rival të mundshëm të Xi-t për postin më të lartë. Në vitin 2014 u arrestua ish-drejtuesi i aparatit të madh të sigurisë së Kinës, ndërsa dy vjet më vonë ndihmësi kryesor i Hu Jintao u dënua me burgim të përjetshëm për korrupsion.
Nga ministrat e qeverisë deri te drejtuesit e fshatrave, askush nuk i ka shpëtuar fushatës së Xi-t kundër “tigrave dhe mizave”, një shprehje që i referohet si elitave të larta, ashtu edhe zyrtarëve të nivelit të ulët. Si rezultat, gjatë 14 viteve të fundit miliona zyrtarë janë disiplinuar, shkarkuar ose burgosur.
“Surpriza nuk është që disa marrin ryshfet apo favore, por që ka edhe njerëz që nuk e bëjnë këtë… Disa prej tyre janë larguar thjesht për shkak të korrupsionit”, thotë Brown.
Vetëm në vitin 2025, organi kryesor kundër korrupsionit në Kinë raportoi se pothuajse një milion persona u ndëshkuan. Në janar të këtij viti, sipas mediave shtetërore, u goditën edhe 10 “tigra”.
Megjithatë Brown është i kujdesshëm me interpretimin e këtyre shifrave. “Termi ‘disiplinim’ mund të nënkuptojë gjithçka, nga një qortim formal deri te burgimi dhe përjashtimi nga partia”, thotë ai. Sidoqoftë, çdo masë disiplinore tregon sa qendrore është bërë kjo fushatë për Xi-n. “Që nga momenti kur erdhi në pushtet, ai ka kërkuar të vendosë disiplinë në parti”, shton Brown. Fushata vazhdon edhe sepse korrupsioni është i vështirë të çrrënjoset. Edhe pas spastrimeve të para në ushtri më shumë se një dekadë më parë, “gradat dhe promovimet shpesh shiteshin dhe ryshfeti ishte i përhapur”, sipas institutit gjerman Mercator Institute for China Studies (MERICS).
Sipas Brown, problemi lidhet edhe me strukturën e sistemit politik. “Është shumë e vështirë të luftosh korrupsionin kur mungojnë mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies që do të mund ta menaxhonin siç duhet partinë”, thotë Brown.
Sipas mediave shtetërore kineze, faktin që dalin vazhdimisht raste të reja e shpjegon një logjikë tjetër: “sa më shumë të gërmosh, aq më thellë shkon”, thotë Helena Legarda, studiuese në MERICS. Megjithatë, sipas analistëve, kjo nuk është e gjithë historia e spastrimeve.

Pushteti, besnikëria dhe trashëgimia politike
“Fushata kundër korrupsionit e Xi-t ka qenë gjithmonë edhe për korrupsionin edhe për politikën”, thotë Neil Thomas nga Asia Society Policy Institute. Sipas tij, ajo synon nga njëra anë ta bëjë partinë një makineri më efektive qeverisëse dhe nga ana tjetër të largojë kundërshtarët politikë. Brown e përshkruan këtë proces si një lloj “pastrimi korporativ” dhe si një mjet menaxhimi që i mban zyrtarët nën presion.
Nën drejtimin e Xi-t, Kina është shndërruar në një fuqi të madhe ekonomike dhe ka rritur ndikimin gjeopolitik. Qeveria po investon miliarda në teknologji të avancuara si çipat, inteligjenca artificiale dhe energjitë e rinovueshme, sektorë që do të përcaktojnë pozicionin e Pekinit në konkurrencën me Shtetet e Bashkuara. Analistët kanë vënë re se hetimet për korrupsion shpesh shtohen pikërisht në sektorët që përfitojnë financime të mëdha shtetërore, si teknologjia ose kontratat ushtarake.
“Udhëheqja beson se nëse partia nuk është e disiplinuar, e bashkuar dhe e qartë në mesazhin e saj, ajo mund të përfundojë e përçarë dhe e sfiduar si shumë parti të tjera politike në botë”, thotë Brown.
Për Xi-n, sipas vëzhguesve, korrupsioni është bërë një term i gjerë që përfshin jo vetëm ryshfetin, por edhe mungesën e besnikërisë politike, devijimin ideologjik ose mungesën e përkushtimit ndaj objektivave kombëtare.
Ai shpesh e lidh këtë me një nga frikërat e tij kryesore: që partia të humbasë kontrollin dhe të përballet me një fat të ngjashëm me Bashkimin Sovjetik, shembja e të cilit përdoret shpesh si paralajmërim në diskursin politik kinez.
Në janar, Xi u tha zyrtarëve se nuk do të kishin “asnjë vend për t’u fshehur”, sepse “lufta kundër korrupsionit është një betejë që partia nuk mund ta humbasë dhe nuk duhet ta humbasë kurrë”.
Profesori Brown thotë se për partinë rreziku është ekzistencial: “Nuk është si të humbasësh një zgjedhje. Ata humbasin gjithçka.” Në këtë kontekst, presioni politik është i madh. Xi është në pushtet prej kohësh dhe mandati i tij i tretë përfundon vitin e ardhshëm.

Ndërsa ndikimi global i Kinës rritet dhe rivaliteti me SHBA-në intensifikohet, Xi përballet edhe me një ekonomi në ngadalësim dhe pakënaqësi mes të rinjve. Për këtë arsye theksi mbi unitetin, patriotizmin dhe luftën kundër korrupsionit për “rilindjen kombëtare” është gjithashtu një mënyrë për të ruajtur kontrollin politik.
Mbijetesa politike dhe ushtria
Kjo është veçanërisht e dukshme në ushtri. Në vitin 2012 Xi mori drejtimin e Komisionit Qendror Ushtarak, organi më i lartë vendimmarrës për forcat e armatosura. Që atëherë ai ka riorganizuar strukturën e Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe e ka vendosur atë më drejtpërdrejt nën kontrollin e tij. Sipas Neil Thomas, spastrimi në ushtri është veçanërisht i thellë. “Pastrime ka pasur në të gjithë sistemin, por ushtria është një rast i veçantë. Pjesa më e madhe e udhëheqjes së saj të lartë është goditur nga masa disiplinore gjatë mandatit të tretë të Xi-t.” Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), rreth 52% e posteve drejtuese në ushtri janë prekur nga hetimet. Operacioni më i madh i fundit ndodhi në fund të vitit 2025, kur nëntë gjeneralë të lartë, përfshirë He Weidong dhe Miao Hua, u akuzuan për krime që përfshinin “shuma jashtëzakonisht të mëdha parash”.
Më pas, në janar, Kina njoftoi largimin e gjeneralëve Liu Zhenli dhe Zhang Youxia për “shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”. Zhang ishte një nga aleatët më të afërt ushtarakë të Xi-t dhe nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak. Ky organ i fuqishëm, që drejtohet nga Xi, ka mbetur tashmë me vetëm dy anëtarë përveç tij.
Sipas Helena Legarda, narrativat zyrtare tregojnë se largimet e fundit kanë pasur edhe dimension politik dhe lidhen me besnikërinë ndaj Xi-t dhe objektivave të tij. Analistët theksojnë se kontrolli mbi ushtrinë është thelbësor për të ardhmen politike të Xi-t. Siç vëren analisti Brian Hart në një raport të CSIS, ish-udhëheqësi Jiang Zemin mbajti drejtimin e Komisionit Qendror Ushtarak edhe dy vjet pasi u largua nga posti, duke kufizuar pushtetin e pasardhësit të tij. Xi duket se dëshiron të shmangë një situatë të ngjashme për të ruajtur ndikim afatgjatë mbi ushtrinë.

Spastrime të tilla nuk janë të reja në politikën e brendshme të Partisë Komuniste të Kinës. Mao Zedong shpesh largonte bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ndonjëherë edhe më shumë se një herë. Edhe babai i Xi-t ka qenë një nga viktimat e këtyre pastrimeve. Sipas profesorit Frank Pieke nga Universiteti i Leidenit, akuzat për korrupsion janë bërë një formë e rëndësishme e përballjes politike brenda sistemit.
Shenjat tregojnë se spastrimi nuk ka përfunduar. Kryeministri Li Qiang deklaroi në kongresin e fundit se Pekini do të “vazhdojë korrigjimin politik të ushtrisë”. Sipas Pieke, rrethi i bashkëpunëtorëve të besuar të Xi-t po ngushtohet gjithnjë e më shumë, duke përjashtuar edhe disa prej njerëzve që e ndihmuan të konsolidojë pushtetin. Por kjo prirje, thotë ai, ka gjasa të vazhdojë derisa në krye të mbeten vetëm drejtues që janë plotësisht produkt i sistemit politik të ndërtuar nga Xi.
Siç e përmbledh Neil Thomas: “sa më i fuqishëm bëhet Xi, aq më shumë spastrime kryen”. /Përshtatur nga BBC/
Lini një Përgjigje