Këshilltari i Zelenskyt paralajmëron zgjerimin e sulmeve ukrainase në territorin rus dhe apelon Perëndimin për shtrëngim ekonomik ndaj Moskës
Kiev – Këshilltari i kreut të zyrës presidenciale ukrainase, Mkhailo Podolyak, deklaron se ka ardhur koha që Perëndimi të rikthejë "shkopin" e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, duke e detyruar atë drejt një kolapsi ekonomik, ndërsa paralajmëron shtimin e sulmeve të ushtrisë ukrainase ndaj objektivave ushtarake në territorin rus.
A është vërtet e pamundur paqja, dhe a mund ta marrë Trump parasysh këtë?
Paqja është e mundur, por nuk mund të arrihet pa një presion real ndaj Rusisë. Është iluzion të besosh se Moska është e gatshme për negociata reale apo se do të respektojë marrëveshjet. Rusia filloi një luftë të rëndë, pa arritur objektivat e saj. Por nuk do të ndalet vetvetiu. Moskës i interesonte shkatërrimi i shtetit ukrainas dhe dominimi në Evropë. Sot në Rusi çdo sektor i shoqërisë është orientuar drejt luftës, duke e bërë thuajse të pamundur tërheqjen vullnetare pa një krizë të brendshme sociale.
Paqja mund të arrihet vetëm nëpërmjet presionit: sanksione të forta ekonomike dhe zgjerim i sulmeve ushtarake kundër infrastrukturës së luftës në territorin rus. Vetëm këto mjete do të sjellin shpejt një paqe ose një armëpushim të qëndrueshëm.
Trump thotë se një palë është afër paqes, por nuk e përmend. Nëse Moska e pengon marrëveshjen, pse nuk thuhet qartë?
Ukraina i ka koordinuar qëndrimet me SHBA dhe është e hapur për një dalje graduale nga lufta dhe një proces armëpushimi sistematik, siç është ndërprerja e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Donald Trump praktikoi një "diplomaci të butë" me Rusinë, e cila u shfrytëzua nga Putin për të dëmtuar reputacionin e Amerikës dhe personalisht Trumpin. Megjithatë, SHBA synon të çojë deri në fund strategjinë aktuale dhe më pas të detyrojë Rusinë në një proces paqeje.
A varet fati i dy popujve nga urrejtja personale Putin-Zelensky, apo gjeneralët?
Jo, problemi nuk është urrejtja personale, por urrejtja ekzistenciale e Rusisë ndaj Ukrainës. Rusia intensifikoi sulmet ndaj civilëve gjatë muajit të fundit, duke vrarë qindra qytetarë. Putin nuk pranon ekzistencën e shteteve sovrane në territoret e ish-BRSS-së. Nëse ne ndalojmë së rezistuari, do të zhdukemi si komb.
Por sulmi ndaj Moskës gjatë paradës së 9 majit do të ishte i papërgjegjshëm. A ka ushtria ukrainase leje për këtë?
Ukraina nuk sulmon objektiva civile. Përpjekjet e Putinit për armëpushim të shkurtër janë propagandë. Ukraina godet vetëm infrastrukturën ushtarake ruse me dronë dhe raketa. Siguria në territorin rus është përgjegjësi e tyre. Diskutimet për sulme të mundshme janë skenarë të sajuar nga Moska për tensione të brendshme. Kemi informacione se Rusia planifikon vetë akte terroriste më 8-10 maj për qëllime propagandistike.
A është Kievi gati të heqë dorë nga diçka për paqen?
Nëse Rusia fiton avantazhe pa çmim, nuk do të ndalet. Çdo lëshim do të çonte në përshkallëzim të konfliktit. Ukraina mund të pranojë ngrirjen e konfliktit, por kurrsesi nuk do të njohë territoret e pushtuara nga Rusia. Nuk do të heqim dorë nga sovraniteti, forcat e armatosura apo prodhimi ynë ushtarak. Ukraina kërkon garanci sigurie për veten dhe Evropën./Pamfleti nga “La Repubblica”
Lini një Përgjigje