
Liderët e BE-së në rresht si nxënës para Trumpit, ndërsa Rusia shpërblen bisedimet me sulmin më të madh të muajit në Ukrainë: A është kjo paqe, apo një tjetër pazar i tipit Helsinki 2.0?
Në Uashington, u mblodhën liderët më të fuqishëm të botës perëndimore për të folur për “paqen” në Ukrainë.
Me fjalë të mëdha dhe fraza të përgatitura nga stafe PR-i, ata u përpoqën të ngjallin shpresë se pas mbi tre vitesh lufte, diçka po ndryshon. Por ajo që realisht ndodhi, ishte një shfaqje politike, ku Donald Trump riktheu stilin e vjetër amerikan; “unë komandoj, ju dëgjoni”, ndërsa Europa heshti si nxënës i zënë në gabim.
Në këtë samit paqeje, askush nuk foli për trupa, për mbështetje konkrete ushtarake, ose për ndonjë garanci reale.
Në vend të kësaj, Trump njoftoi se SHBA nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë, dhe i kërkoi BE-së të paguajë për këtë. Një mënyrë cinike për të thënë se Amerika nuk ka më ndërmend të bëjë luftë për të tjerët, por do ta përdorë “paqen” si armë politike në fushatë dhe mjet presioni ndaj aleatëve.
Në krah të tij, Volodymyr Zelensky, dikur hero ndërkombëtar, qëndronte në pozicionin më të vështirë: një lider që duhet të bëjë sikur beson në premtime, sepse nuk ka më alternativa. Ukraina, e lodhur nga lufta dhe e rraskapitur nga mungesat, kërkon paqe, por jo çdo lloj paqeje. Dhe pikërisht në këtë çast vendimtar, vjen reagimi brutal nga Moska: sulmi më i madh ajror i muajit, me 270 dronë dhe dhjetëra raketa që goditën rafineritë, stacionet energjetike dhe zonat e populluara në Ukrainën qendrore. Për Putinin, kjo ishte mënyra më e qartë për të thënë se çdo “proces paqeje” që zhvillohet pa të, është thjesht farsë. Ai nuk flet në samite, ai flet me eksploziv.
Ironia është tronditëse: ndërsa liderët perëndimorë nënshkruajnë deklarata për bashkëpunim dhe shpresë, qytetarët ukrainas fshihen në strehimore nga raketat ruse. Ndërsa firmosen dokumente për të ardhmen e Ukrainës në Europë, energjia e saj shkatërrohet nga sulme të qëllimshme mbi infrastrukturën kritike.
Kjo nuk është paqe, kjo është tregti, një pazar, ku jeta e njerëzve bëhet monedhë në llogaritë e mëdha të gjeopolitikës.
Për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit, kjo është një sinjal i qartë: nëse një vend si Ukraina me afro 40 milionë banorë, që ka luftuar për të mbrojtur vlerat perëndimore, trajtohet kështu, atëherë çfarë mbrojtjeje do të ketë një vend i vogël kur përballet me kërcënime të jashtme?
A do të vijë ndonjëherë një “samit” për Ballkanin, nëse ndonjëherë bëhemi pjesë e një konflikti? Apo do të dëgjojmë të njëjtat fjalë të thata, ndërsa avionët e huaj fluturojnë mbi kokat tona?
Në fund, e vetmja paqe që po ofrohet sot është një paqe e rreme, një paqe që i shërben më shumë zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe interesave të ftohta të BE-së sesa sigurisë reale në terren. Dhe ndërsa bota përpiqet të bindë veten se lufta mund të ndalet me fjalë, Putini vazhdon të flasë me gjuhën që e kupton më mirë: atë të forcës./Pamfleti
Lini një Përgjigje