
Nga ëndrra federale te muri i dy shteteve: Erdogan mbyll epokën e negociatave për Qipron
Kur Recep Tayyip Erdogan deklaron se “zgjidhja më realiste” për Qipron është modeli me dy shtete, ai nuk po përsërit vetëm vijën politike të Ankarasë.
Ai po mbyll, të paktën në planin diplomatik, një kapitull të hapur që në vitet ’60, fillimisht me idenë e një republike të përbashkët dhe më pas me konceptin e një federate nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Në krah të presidentit të ri turko-qipriot, Tufan Erhurman, Erdogan thekson se përpjekjet negociatore nga viti 1968 e deri më sot nuk kanë prodhuar rezultat, duke shtuar se nuk ka më asnjë kuptim të ulesh në tryezë “vetëm për të ruajtur fasadën”. Mesazhi për komunitetin ndërkombëtar është i qartë: Turqia nuk e sheh më të realizueshme ribashkimin, por kërkon njohjen e dy strukturave politike të ndara.
Një konflikt i ngrirë prej gjysmë shekulli
Për të kuptuar fuqinë e këtij pozicioni, duhet rikthyer në vitin 1974: grushti i shtetit i mbështetur nga elementë grekë që synonin aneksimin e ishullit nga Athina; ndërhyrja ushtarake turke; ndarja de facto e territorit. Që prej vitit 1963, administrata e përbashkët greko–turko-qipriote ishte shembur, dhe dhuna sporadike i kishte thelluar ndarjet mes dy komuniteteve.
Në vitin 1983, turko-qipriotët shpallën Republikën Turke të Qipros së Veriut, e njohur vetëm nga Turqia. Ndërkohë, pjesa tjetër e botës vazhdon të konsiderojë legjitime vetëm Republikën e Qipros, sot anëtare e BE-së. Linja e gjelbër, nën kontrollin e OKB-së, është kthyer në simbolin e një konflikti të ngrirë, por kurrë të zgjidhur.
Fund i modelit federal?
Për dekada me radhë, OKB ka shtyrë idenë e një Qiproje federale me dy komunitete të barabarta politikisht brenda një shteti të vetëm. Pika kyçe ishte Plani Annan – një republikë me dy entitete autonome, një personalitet të vetëm ndërkombëtar dhe një qeveri të përbashkët.
Rezultati i referendumit të vitit 2004 ishte vendimtar:
-turko-qipriotët e miratuan,
-greko-qipriotët e rrëzuan.
Megjithatë, disa javë më vonë, Bashkimi Europian pranoi Qipron si shtet anëtar, duke përfshirë formalisht edhe Veriun, ndonëse pa kontroll real mbi të. Kjo për Ankaranë dhe për turko-qipriotët u lexua si provë se pala greke mund të bllokojë çdo kompromis, duke mbajtur pas vetes mbështetjen e BE-së pa paguar kosto politike.
Sovranitet, barazi dhe frika e pakicës
Erdogan e rimerr sot këtë narrativë: ai akuzon Nikosinë se refuzon barazinë sovrane të turko-qipriotëve dhe se i trajton si një pakicë të dorës së dytë brenda një shteti të dominuar nga greko-qipriotët.
Erhurman shkon edhe më tej, duke e përshkruar “popullin turko-qipriot” si një nga dy themeluesit e shtetit, me të drejta sovrane në gjithë ishullin, jo vetëm në veri. Kjo qasje përmbys narrativën ndërkombëtare, e cila e sheh Veriun si një rajon secesionist që duhet reintegruar.
Në thelb të konfliktit qëndron frika reciproke:
-greko-qipriotët e shohin barazinë e plotë si humbje të privilegjeve të shumicës,
-turko-qipriotët e shohin mungesën e barazisë si dorëzim përballë një shteti që e konsiderojnë armiqësor.
Gaz, det dhe një hartë e re e pushtetit
Çështja e Qipros nuk është më vetëm etnike apo historike. Zbulimet e gazit në ujërat rreth ishullit dhe konfliktet për kufijtë detarë e kanë kthyer Mesdheun Lindor në një zonë rivaliteti mes Turqisë, Greqisë, Qipros, Izraelit, Egjiptit, e në prapaskenë BE-së dhe SHBA-ve.
Për Turqinë, modeli me dy shtete legjitimon një zonë të re influence në veri të ishullit dhe në detet përreth. Për Nikosinë, modeli federal ruan kontrollin formal mbi të gjithë zonën ekonomike ekskluzive dhe i jep avantazhin e negociimit nga pozita e forcës.
Për sa kohë asnjëra palë nuk pranon të heqë dorë nga këto leverdi strategjike, diplomacia ndërkombëtare mbetet e paralizuar.
Një konflikt që përcakton të ardhmen e rajonit
Deklaratat e fundit të Erdogan vijnë në një moment tensioni të shtuar në Mesdheun Lindor: baza të reja, aleanca ushtarake, stërvitje detare dhe ajrore. Qipro bëhet kështu arenë ku takohen interesat europiane, turke, arabe dhe atlantike.
Debati për modelin federal apo dy shtetet nuk është më thjesht çështje kushtetuese: është pyetja se kush do të ulet në tryezën e marrëveshjeve për gazin, detin dhe sigurinë, në një hapësirë që shtrihet nga Suez deri në Ballkan. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje