Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj homologut francez Emmanuel Macron, pas vendimit të Francës për të mos u përfshirë në operacionet për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Përplasja erdhi pasi Macron deklaroi se Franca nuk do të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak në këtë zonë në kushtet aktuale të konfliktit.
“Ne nuk jemi palë në konflikt dhe për këtë arsye Franca nuk do të marrë pjesë kurrë në operacione për të hapur ose çliruar Ngushticën e Hormuzit”, u shpreh Macron.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale, Trump iu përgjigj me tone kritike dhe personale ndaj presidentit francez.
“Epo, ai do të largohet nga detyra shumë shpejt. Pra, do të duhet ta shohim. Nuk e di”, tha Trump.
Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh në rritje mes SHBA-së dhe disa aleatëve europianë, të cilët kanë refuzuar kërkesat për të kontribuar me mjete ushtarake në operacionet në Ngushticën e Hormuzit.
Trump ka shprehur më herët pakënaqësi ndaj aleatëve, duke i akuzuar për mungesë besnikërie, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme që SHBA u ka dhënë në fushën e sigurisë ndër vite.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë janë planifikuar për prill 2027, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve duket se po përballen me një tjetër moment tensioni diplomatik.
Lini një Përgjigje