
Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë informuar nga shumica e aleatëve të NATO-s se nuk dëshirojnë të përfshihen në konfliktin me Iranin.
Në një postim në platformën Truth Social, ai u shpreh se një qëndrim i tillë nuk e ka befasuar, duke lënë të kuptohet për një mungesë mbështetjeje nga partnerët ndërkombëtarë.
“Ne do t’i mbrojmë ata, por ata nuk do të bëjnë asgjë për ne, veçanërisht në një kohë nevoje”, shkroi Trump.
Ai shkoi më tej duke theksuar se SHBA-të nuk kanë më nevojë për ndihmën e vendeve të NATO-s.
“Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt”, u shpreh Trump në deklaratën e tij.
Në të njëjtin reagim, Trump akuzoi Iranin për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe mediave për të përhapur dezinformim, duke pretenduar se janë publikuar pamje dhe lajme të rreme për sulme ndaj objektivave amerikane.
Ai përmendi konkretisht raportime për dëmtimin e avionëve amerikanë dhe pamje të supozuara të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në flakë, duke i cilësuar si të pavërteta.
“Është e gjitha lajm i rremë, i gjeneruar nga inteligjenca artificiale”, deklaroi Trump.
Sipas tij, Irani po përdor propagandën për të krijuar përshtypjen e një fuqie ushtarake më të madhe, ndërsa në realitet, sipas pretendimeve të tij, vendi është duke pësuar humbje të mëdha.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa qëndrimet e aleatëve perëndimorë ndaj konfliktit mbeten të paqarta.

Lini një Përgjigje