TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Mars 2026, 14:45

Rezistenca e vetmuar në Rusinë e Putinit

Shkruar nga Pamfleti
Rezistenca e vetmuar në Rusinë e Putinit
Pavel Talankin

Një dokumentar i nominuar për Oscar ofron një vështrim intim mbi rrëshqitjen e Rusisë drejt fashizmit...

Pavel Talankin, protagonisti i pazakontë i dokumentarit të nominuar për Oscar Mr. Nobody Against Putin, sipas vetë rrëfimit të tij, është një person disi i veçantë. Ai na tregon se zotëron saktësisht 427 libra, të rregulluar me kujdes sipas ngjyrave. Na tregon edhe një fotografi nga fëmijëria, ku shfaqet me një fjongo blu të ndritshme në majë të kokës. “Si nxënës i vogël e dija se isha ndryshe nga djemtë e tjerë, edhe pse nuk e kuptoja pse”, thotë ai, duke shtuar “ndoshta prandaj kam qenë gjithmonë vetëm”.

Pasi kisha lexuar për filmin e Talankinit para se ta shihja, prisja të gjeja një koment të mprehtë mbi militarizimin e shkollave ruse gjatë periudhës së luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës, të nisur nga presidenti Vladimir Putin. Nuk mbeta i zhgënjyer. Talankin punonte si koordinator i aktiviteteve dhe videograf në shkollën fillore të qytetit të tij të lindjes, Karabash, një qytet me rreth 10 mijë banorë në malet Urale. Duke përdorur pamjet që ka filmuar vetë në shkollë, ai paraqet një tablo të rrëshqitjes së Rusisë drejt fashizmit, nga gara e hedhjes së granatave në shkollë deri te një mësues historie që shpreh admirim për Lavrenti Berian, shefin e policisë sekrete të Stalinit, i njohur për krimet dhe përdhunimet seriale. (Do të ishte sikur një mësues gjerman sot të thoshte: “Himmler dhe Heydrich ishin dy nga burrat më të shquar të kombit tonë”).

Sado tronditëse të duken këto pamje, ato nuk janë krejt të papritura. Kushdo që ka ndjekur deklaratat publike të Putinit për luftën mund ta imagjinonte një realitet të tillë. Megjithatë, ajo që nuk e prisja nga ky film ishte një studim i hollë mbi psikologjinë e rezistencës, i treguar nga këndvështrimi i një njeriu që kupton se qeveria e tij është në gabim dhe vendos të bëjë diçka për këtë.

Talankin nuk dramatizon aspak rolin e tij. Kur mendon për protestuesit kundër luftës që ka parë në internet, ai pranon se vetë nuk do të ishte në gjendje të vepronte njësoj: “do të doja të isha aq i guximshëm sa ata. Por nuk jam.”

Megjithatë, për një arsye të pashpjegueshme ai nuk arrin të ndalë së menduari në mënyrë të pavarur, edhe pse jeton në një vend ku shumica dërrmuese e njerëzve pranon të përshtatet me linjën zyrtare. Për më tepër, ai ndien një dashuri të thellë për komunitetin e tij, për shkollën ku punon dhe për njerëzit që e rrethojnë. Kjo e bën edhe më të dhimbshëm largimin e tij politik nga mjedisi përreth, që thellohet ndërsa lufta dhe filmi vazhdojnë. Duke mos gjetur rrugë tjetër për të shprehur frustrimin, ai nis të bashkëpunojë fshehtas me një regjisor amerikan me bazë në Evropë për një projekt që dokumenton nga brenda deformimin e shoqërisë ruse gjatë kohës së luftës.

Ai na tregon ushtrime ushtarake për nxënës të klasës së gjashtë. Na tregon një mësuese që ngatërrohet me terminologjinë zyrtare të një deklarate që i është urdhëruar të lexojë para kamerës. Na tregon një vizitë të mercenarëve të Grupit Wagner, të njohur për mizoritë e kryera në Ukrainë dhe gjetkë, të cilët demonstrojnë armë dhe paralajmërojnë nxënësit e vegjël të mos i lidhin fort rripat e helmetave: “Nëse të qëllojnë në kokë, mund të të thyejë qafën.” Ndërkohë, mësuesi që admiron Berian u thotë nxënësve se sanksionet perëndimore po i dëmtojnë evropianët më shumë se rusët: “në Francë, për të mbushur një makinë me benzinë duhen më shumë se 150 euro. Kështu që francezët së shpejti do të bëhen si musketierët, duke hipur mbi kuaj dhe pjesa tjetër e Evropës gjithashtu.”

Rezistenca e vetmuar në Rusinë e Putinit

Vetë perspektiva nga terreni, që dokumenton jetën në një qytet të largët provincial, shumë larg botës së raportuar gjerësisht të Moskës dhe Shën Petersburgut, do ta bënte këtë film tërheqës më vete. Por prania e vetë Talankinit e bën historinë vërtet të veçantë. Siç e kupton ai gradualisht, qëllimi i gjithë këtij indoktrinimi nuk është vetëm të vendosë shumicën në një linjë me doktrinën shtetërore, por edhe të frikësojë dhe margjinalizojë pakicën e qytetarëve që ende mendojnë në mënyrë të pavarur.

“E dua punën time, por nuk dua të bëhem një vegël e këtij regjimi”, thotë ai në një moment. Kur detyrohet të filmojë një tubim pro-luftës, ndien një neveri të dukshme për rolin e tij. “Ndjehem si një i huaj në qytetin tim.”

Para vitit 2022, Talankin shpjegon se kishte arritur ta kthente shkollën në një lloj familjeje të dytë. Ai e kishte shndërruar dhomën e tij të vogël në një hapësirë të sigurt për nxënësit. Aty askush nuk shqetësohej për flamurin opozitar në mur dhe askush nuk habitej kur diskutoheshin tema të ndjeshme.

Por ndërsa izolimi i tij rritet, ai fillon të kryejë akte simbolike kundër regjimit që mund të kenë pasoja serioze, si për shembull kur gjatë një aktiviteti zyrtar në shkollë lëshon në altoparlant versionin e himnit amerikan të interpretuar nga Lady Gaga. Në mënyrë paradoksale, mënyra e lehtë me të cilën ai trajton këtë realitet të zymtë e shpëton filmin nga rënia në një ton të rëndë dhe monoton.

Sa më e dukshme bëhet kundërshtia e tij, aq më shumë njerëzit përreth largohen. Një nga nxënëset e tij të preferuara, një vajzë e quajtur Masha, humb vëllain në front në Ukrainë; Talankin duket i lënduar nga fakti që ajo refuzon të flasë me të për humbjen. Gradualisht ai e kupton se bashkëpunimi me regjisorët e huaj do të ketë pasoja të pashmangshme: ai detyrohet të emigrojë pa e ditur nëse do të mund të kthehet ndonjëherë. (Ai u largua nga Rusia në vitin 2024.)

Rezistenca e vetmuar në Rusinë e Putinit

Gjithmonë më kanë intriguar njerëzit që zgjedhin të bëjnë gjënë e duhur edhe kur përballen me refuzimin dhe armiqësinë e të tjerëve. Për çdo aktivist heroik që merr mbështetje dhe vlerësime, ka të panumërt të tjerë që përballen me përjashtim shoqëror, izolim apo edhe dhunë fizike. Siç u pa edhe në janar në Iran, kundërshtimi publik ndonjëherë përfundon me masakra dhe varre pa emër. Arsyeja pse disa individë zgjedhin rrugën e kushtueshme të rezistencës mbetet ende një mister.

A është bërë Talankin kundërshtar i regjimit sepse gjithmonë është ndier si një i jashtëm? Ndoshta. Por ai nuk është aspak një revolucionar i hidhëruar dhe hakmarrës. Përkundrazi, ai është një patriot i përkushtuar lokal, gjë edhe më e habitshme nëse merret parasysh se vendlindja e tij është përshkruar si “një nga qytetet më të ndotura në Rusi”. Mbetet për t’u parë si do t’ia dalë në mërgim. Nuk do të jetë e lehtë.

“Dashuria për vendin nuk është të ngresh një flamur,” thotë Talankin në një nga komentet e filmit, duke shtuar “nuk është as të këndosh himnin, nuk është shfrytëzim dhe propagandë.”

Ndonjëherë, në fakt, ajo do të thotë të zgjedhësh rrugën më të vetmuar. Mr. Nobody Against Putin është një mrekulli e vogël kinematografike. /Përshtatur nga ForeignPolicy/

 

rusia putin diktature

1 Komente

  1. T
    Tony.

    Vetem nje fenomen te thjeshte nuk keni pikasur o derdimene!? Ruset sllave gollo ashtu si te gjithe sllavet e mbajne vehten si supriore race. Te mjeret si mund te jesh superior me ate gjuhen zhllap, mzhlla, ble? Vereni me kujdes dokumentaret e news e filma te BS e Rusise qe sklleverit, ushtaret e thjeshte e puntoria jane race mongole e ruset e bardhe. Te gjithe kombet nen BS i bene mutin se ndjeheshin e shfrotezoheshin si inferiore kur kane burime natyrore te pashtereshme e ne histori kane qene me aktive se ruset. Te varferit ruse nga mendja kujtuan e kujtojne se do bejne zap boten. Fashizmi eshte organik ne racen e tyre e gjarperit po nuk i shtype koken te mbyt. Keta palacot tane ish barkthate e pabreksa e kane mbushur zyrat e dhene biznese sllaveve mzhlla mzhlla e nuk i dihet fundit se ku do perfundoje Shqiperia me kelyshet e Beogradit e Moskes ne krye.

    Lini një Përgjigje