
Qeveria e Shteteve të Bashkuara është përfshirë në marrëveshjen për TikTok në një rol që analistët e përshkruajnë si atë të një “ndërmjetësi” që përfiton komision. Ky është një nga ndryshimet e diskutueshme në mënyrën e funksionimit të administratës së presidentit Donald Trump.
Sipas raportimeve, administrata amerikane pritet të marrë rreth 10 miliardë dollarë nga investitorët që morën pjesë në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit, e cila i dha kompanive amerikane kontroll mbi operacionet e platformës kineze TikTok në tregun e SHBA-së. Kjo shumë konsiderohet si një shpërblim për rolin e qeverisë amerikane në mbajtjen aktive të aplikacionit në tregun amerikan.
Pagesa është pjesë e marrëveshjes mes investitorëve dhe kompanisë ByteDance, pronare e TikTok.
Ndër kompanitë dhe investitorët që do të kontribuojnë në këtë pagesë përfshihen gjiganti i teknologjisë Oracle, fondi i investimeve Silver Lake dhe investitori nga Abu Dhabi, MGX. Në momentin e mbylljes së marrëveshjes në janar, ishte paguar një këst fillestar prej rreth 2.5 miliardë dollarësh.
Presidenti Trump nuk e ka fshehur këtë aspekt të marrëveshjes. Ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po përfitojnë një komision të konsiderueshëm për rolin e tyre në realizimin e marrëveshjes dhe se nuk dëshiron ta humbasë këtë mundësi.
Megjithatë, sipas gazetës Wall Street Journal, një pagesë e tillë ndaj qeverisë amerikane është pothuajse pa precedent në marrëveshje të këtij lloji.
Më herët, zëvendëspresidenti JD Vance kishte deklaruar se vlera e TikTok në tregun amerikan ishte rreth 14 miliardë dollarë. Analistët e Wall Street e konsideruan këtë vlerësim shumë të ulët.
Fakti që vetëm komisioni i parashikuar për administratën amerikane arrin në rreth 10 miliardë dollarë sugjeron se platforma mund të ketë një vlerë shumë më të lartë në treg.
Administrata amerikane e ka mbrojtur këtë pagesë duke argumentuar se presidenti Trump luajti rol vendimtar në shpëtimin e TikTok nga ndalimi në SHBA dhe në menaxhimin e negociatave të nivelit të lartë me Kinën.
Marrëveshja u bë e nevojshme pasi Kongresi amerikan, me mbështetje nga të dyja partitë, kërkoi që TikTok të transferonte kontrollin e operacioneve të tij në SHBA tek kompani amerikane. Platforma ishte vënë nën dyshim për shkak të shqetësimeve se të dhënat e miliona përdoruesve amerikanë mund të përfundonin në duart e qeverisë kineze.
Në rast se kompania ByteDance nuk do të pranonte këtë kusht, TikTok rrezikonte të bllokohej në Shtetet e Bashkuara.
Vendimi shkaktoi reagime të forta nga përdoruesit amerikanë, veçanërisht nga të rinjtë, të cilët kërkuan ndërhyrjen e presidentit për të shmangur mbylljen e platformës. Vetë Trump ka një llogari shumë të ndjekur në TikTok dhe në procesin e negociatave përfshiu edhe disa investitorë të afërt me të dhe donatorë të fushatës së tij presidenciale./Marrë nga Analiza e La Repubblica
Lini një Përgjigje