Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Izraelit të pranojë bisedime të drejtpërdrejta me autoritetet libaneze dhe me “të gjithë përbërësit politikë” të Libanit, duke theksuar se Franca është e gatshme t’i lehtësojë dhe t’i presë këto negociata në Paris.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Macron deklaroi se duhet bërë gjithçka për të parandaluar që Libani të zhytet në kaos. Ai kërkoi që Hezbollahu të ndalojë menjëherë sulmet e tij, ndërsa Izraeli të heqë dorë nga një ofensivë e gjerë dhe të ndalojë bombardimet masive, në një kohë kur qindra mijëra civilë janë larguar nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftimeve.
Presidenti francez bëri të ditur se një ditë më parë zhvilloi biseda telefonike me presidentin e Libanit Joseph Aoun, kryeministrin Naëaf Salam dhe kryetarin e parlamentit Nabih Berri.
Sipas Macron, udhëheqja libaneze ka shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në dialog të drejtpërdrejtë me Izraelin, duke theksuar se në proces duhet të përfaqësohen të gjitha komponentët politikë të vendit.
Ai shtoi se Izraeli duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të nisur negociatat dhe për të arritur një armëpushim, me synimin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe për t’u mundësuar autoriteteve libaneze të zbatojnë angazhimet e tyre në mbështetje të sovranitetit të Libanit.
Macron theksoi gjithashtu se Franca është e gatshme të ndërmjetësojë procesin duke pritur bisedimet në Paris.
Ndërkohë, sipas raportimeve ndërkombëtare, organizata Hezbollah e përfshiu Libanin në përshkallëzimin rajonal më 2 mars, duke lëshuar raketa drejt Izraelit. Izraeli ka ndërmarrë bombardime në territorin libanez dhe ka paralajmëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake.
Në një fjalim televiziv, udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se organizata është e përgatitur për një “konflikt të gjatë”.
Ky zarbo i Parisit do ndonje llokme mga ish kolonia e Frances, asgje me teper e jo se pserpiqet per paqe.