TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Mars 2026, 13:24

Rezistenca që befasoi SHBA-në; gabimet fatale të Trump dhe këshilltarëve në luftën kundër Iranit

Shkruar nga Pamfleti

Në fillim të sulmit SHBA-Izrael, Presidenti Trump minimizoi rreziqet për tregjet e energjisë si një shqetësim afatshkurtër që nuk duhet të errësojë misionin për të prerë kokën e regjimit iranian.

Rezistenca që befasoi SHBA-në; gabimet fatale të Trump dhe
Donald Trump dhe këshilltarët e tij në natën kur u sulmua Irani

Më 18 shkurt, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrtonte mundësinë e sulmeve ushtarake ndaj Iranit, sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi në një intervistë se nuk ishte i shqetësuar se një konflikt i mundshëm mund të ndërpriste furnizimet me naftë në Lindjen e Mesme dhe të destabilizonte tregjet energjetike.

Sipas Wright, edhe gjatë sulmeve izraelite dhe amerikane kundër Iranit në qershorin e kaluar, tregjet kishin reaguar vetëm përkohësisht.

“Çmimet e naftës u rritën pak dhe më pas ranë sërish”, tha ai.

Disa këshilltarë të tjerë të Trumpit ndanin të njëjtin vlerësim në biseda private, duke hedhur poshtë paralajmërimet se Irani mund të zhvillonte një luftë ekonomike duke bllokuar rrugët detare që transportojnë rreth 20 për qind të furnizimit botëror me naftë.

Megjithatë, zhvillimet e fundit treguan se ky vlerësim ishte i gabuar. Irani kërcënoi se do të godiste cisternat tregtare të naftës që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike përmes së cilës kalojnë të gjitha anijet që dalin nga Gjiri Persik.

Si pasojë e këtyre kërcënimeve, transporti detar komercial në Gjirin Persik u ndal pothuajse plotësisht. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, ndërsa administrata Trump u përball me presion për të frenuar një krizë ekonomike që po rrit çmimet e karburantit në Shtetet e Bashkuara.

Situata ilustron mënyrën se si Trump dhe këshilltarët e tij nënvlerësuan reagimin e Iranit ndaj një konflikti që qeveria në Teheran e konsideron kërcënim ekzistencial. Këtë herë, reagimi i Iranit ishte shumë më agresiv sesa gjatë luftës 12-ditore të qershorit të kaluar.

Irani lëshoi breshëri raketash dhe dronësh ndaj bazave ushtarake amerikane, ndaj qyteteve në vendet arabe të Lindjes së Mesme dhe ndaj qendrave të populluara në Izrael.

Përballë situatës së re, zyrtarët amerikanë u detyruan të ndryshojnë planet në mënyrë të shpejtë, duke urdhëruar evakuimin e disa ambasadave dhe duke përgatitur propozime politike për të ulur çmimet e karburantit.

Pas një raportimi me dyer të mbyllura për ligjvënësit në Kongres të martën, senatori demokrat nga Connecticut, Christopher S. Murphy, deklaroi në rrjetet sociale se administrata nuk kishte një plan për Ngushticën e Hormuzit dhe “nuk e di si ta hapë atë në mënyrë të sigurt”.

Brenda administratës amerikane, disa zyrtarë shprehin gjithnjë e më shumë pesimizëm për mungesën e një strategjie të qartë për përfundimin e konfliktit. Megjithatë, ata shmangin kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit, i cili vazhdon ta paraqesë operacionin ushtarak si një sukses të plotë.

Trump ka artikuluar objektiva maksimaliste, duke kërkuar që Irani të emërojë një udhëheqës që do t’i nënshtrohet kërkesave të tij. Ndërkohë, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kanë përshkruar objektiva më të kufizuara dhe taktike që mund të krijojnë mundësi për përfundimin e konfliktit në afat të afërt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se administrata kishte “një plan të fortë veprimi” para fillimit të luftës dhe se çmimet e naftës do të ulen pas përfundimit të saj.

“Aktiviteti i qëllimshëm i regjimit iranian për të destabilizuar tregun e naftës është afatshkurtër dhe i nevojshëm për përfitimin afatgjatë të eliminimit të këtyre terroristëve dhe të kërcënimit që ata paraqesin për Amerikën dhe botën.” tha ajo në një deklaratë.

Ky raportim bazohet në intervista me një duzinë zyrtarësh amerikanë që kërkuan të mbeten anonimë për të diskutuar biseda private.

“Tregoni guxim”

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth pranoi se reagimi i ashpër i Iranit ndaj vendeve fqinje i befasoi deri diku planifikuesit në Pentagon. Megjithatë, ai argumentoi se veprimet e Iranit po rezultojnë kundër interesave të tij.

“Nuk mund të them se e parashikuam saktësisht këtë reagim, por e dinim se ishte një mundësi,” tha Hegseth në një konferencë për shtyp në Pentagon. “Mendoj se kjo tregon dëshpërimin e regjimit.”

Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu frustrim për ndikimin e luftës në furnizimin global me naftë. Në një intervistë për Fox News ai u bëri thirrje ekuipazheve të cisternave të naftës që të “tregojnë guxim” dhe të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Disa këshilltarë ushtarakë kishin paralajmëruar para konfliktit se Irani mund të ndërmerrte një fushatë agresive dhe do ta konsideronte sulmin amerikano-izraelit si një kërcënim për ekzistencën e tij. Megjithatë, këshilltarë të tjerë besonin se eliminimi i udhëheqjes së lartë iraniane mund të hapte rrugën për liderë më pragmatikë që do të përfundonin luftën.

Kur Trump u informua për rrezikun e rritjes së çmimeve të naftës në rast lufte, ai e pranoi mundësinë, por e konsideroi atë një shqetësim afatshkurtër që nuk duhet të pengojë objektivin për rrëzimin e regjimit iranian. Ai udhëzoi sekretarin e Energjisë Wright dhe sekretarin e Thesarit Scott Bessent të përgatisnin opsione për një rritje të mundshme të çmimeve.

Megjithatë, presidenti nuk foli publikisht për këto opsione, përfshirë sigurimin e rrezikut politik të garantuar nga qeveria amerikane dhe mundësinë e eskortimit të cisternave nga marina amerikane  deri më shumë se 48 orë pas fillimit të konfliktit.

Një postim në rrjetet sociale nga Wright shkaktoi gjithashtu turbullira në tregje. Ai njoftoi se marina amerikane kishte eskortuar me sukses një cisternë përmes Ngushticës së Hormuzit, çka ndikoi në rritjen e aksioneve dhe stabilizimin e përkohshëm të tregjeve të naftës. Por postimi u fshi më vonë, pasi zyrtarët e administratës konfirmuan se një eskortë e tillë nuk kishte ndodhur.

Përpjekjet për të rifilluar transportin janë komplikuar edhe nga informacione inteligjente sipas të cilave Irani po përgatitej të vendoste mina detare në ngushticë. Sipas një zyrtari amerikan, operacioni ishte ende në fazat e hershme, por përgatitjet alarmuan administratën amerikane. Ushtria amerikane njoftoi të martën në mbrëmje se kishte goditur 16 anije iraniane të dyshuara për vendosjen e minave.

Ndërkohë që konflikti ka tronditur tregjet globale, republikanët në Uashington shprehin shqetësim se rritja e çmimeve të naftës mund të dëmtojë përpjekjet e tyre për të promovuar agjendën ekonomike para zgjedhjeve të ardhshme.

Trump ka argumentuar publikisht dhe privatisht se nafta nga Venezuela mund të ndihmojë në zbutjen e tronditjeve në treg që lidhen me luftën me Iranin. Administrata njoftoi gjithashtu ndërtimin e një rafinerie të re në Teksas për të rritur furnizimin me naftë dhe për të shmangur ndikimet afatgjata në tregjet globale.

Një mundësi për përfundimin e konfliktit

Besimi i administratës amerikane se rrugët detare do të mbeteshin të hapura është i habitshëm, duke pasur parasysh se Trump autorizoi vitin e kaluar një fushatë ushtarake kundër rebelëve Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, të cilët me sulme me raketa dhe dronë kishin paralizuar tregtinë detare në Detin e Kuq.

Në një postim në rrjetet sociale në mars të vitit të kaluar, Trump deklaroi se sulmet e Houthive i kishin kushtuar ekonomisë globale miliarda dollarë dhe se “asnjë forcë terroriste nuk do t’i ndalojë anijet tregtare dhe ushtarake amerikane të lundrojnë lirshëm në rrugët ujore të botës”.

Megjithatë, që nga fillimi i luftës me Iranin, mesazhet e presidentit kanë qenë të paqarta. Ndihmësit e tij kanë shprehur në biseda private frustrim për mungesën e disiplinës në komunikimin publik të objektivave të operacionit ushtarak.

Trump ka deklaruar herë se lufta mund të zgjasë më shumë se një muaj dhe herë se ajo është “pothuajse e përfunduar”.

Ndërkohë, Rubio dhe Hegseth duket se kanë koordinuar komunikimin publik rreth tre objektivave kryesore të operacionit ushtarak.

“Objektivat e këtij misioni janë të qarta,” deklaroi Rubio në një aktivitet të Departamentit të Shtetit.

“Të shkatërrohet aftësia e regjimit për të lëshuar raketa, duke shkatërruar raketat dhe platformat e tyre; të shkatërrohen fabrikat që i prodhojnë këto raketa; dhe të shkatërrohet marina e Iranit.”

Ky formulim, sipas disa vëzhguesve, mund të krijojë një bazë politike për përfundimin e konfliktit në një afat relativisht të shkurtër.

Matthew Pottinger, ish-zëvendëskëshilltar për sigurinë kombëtare gjatë administratës së parë Trump, deklaroi se presidenti mund të zgjedhë edhe objektiva më ambicioze që do ta zgjasnin luftën për disa javë.

“Gjatë konferencës për shtyp, ai dukej se po shqyrtonte mundësinë e vazhdimit të luftës, duke argumentuar se regjimi iranian ende nuk është frenuar dhe vazhdon të përpiqet të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit.” tha Pottinger.

Nevoja për një rrugëdalje nga konflikti është bërë më urgjente gjatë ditëve të fundit, ndërsa çmimet globale të naftës rriten dhe rezervat e municioneve amerikane konsumohen me shpejtësi.

Sipas zyrtarëve të Pentagonit, ushtria amerikane përdori municione me vlerë rreth 5.6 miliardë dollarë vetëm gjatë dy ditëve të para të luftës, një ritëm shumë më i lartë shpenzimesh sesa ishte bërë publik më parë./ Përshtatur nga The New York Times

rezistenca e iranit që shkatërroi planet e shba-së

Lini një Përgjigje