
Një raketë balistike e lëshuar nga Irani ka goditur zonën e Jeruzalemit, duke shkaktuar dëme materiale vetëm 400 metra larg Xhamisë Al-Aksa dhe Murit të Lotëve, dy nga vendet më të rëndësishme fetare në rajon.
Pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë një re të madhe tymi që ngrihet mbi zonë pas goditjes. Sipas raportimeve fillestare, nuk ka persona të plagosur nga ky sulm.
Autoritetet izraelite bëjnë të ditur se gjatë së premtes janë lëshuar të paktën 8 raketa balistike drejt Izraelit. Dy prej tyre kanë qenë të pajisura me koka luftarake që përmbanin bomba thërrmuese, duke shkaktuar dëme në zona të banuara dhe plagosje të lehta te disa qytetarë.
Në qytetin e Rehovotit, një raketë me bomba thërrmuese shkaktoi zjarr në banesën e një çifti të moshuar. Të dy, rreth të 70-tave, pësuan lëndime të lehta.
Sipas ushtrisë izraelite, një pjesë e sulmeve u neutralizua, me interceptime të raportuara në të paktën 10 zona të ndryshme.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Izrael njofton se 4,099 persona po marrin trajtim mjekësor për plagë fizike dhe gjendje ankthi që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt.
Lini një Përgjigje