Pas disa ditësh me temperatura jashtëzakonisht të larta, Milano po përjeton një ndryshim të kushteve atmosferike. Gjatë orëve të paradites, temperaturat në qytet ishin rreth 30-31 gradë Celsius, me qiell pjesërisht të vranët dhe lagështi të lartë, por më të ulët krahasuar me ditët e fundit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, për pasditen e së mërkurës autoritetet meteorologjike kanë shpallur alarm portokalli në të gjithë rajonin e Lombardisë për shkak të stuhive, të cilat mund të shoqërohen me rrezik hidraulik dhe hidro-gjeologjik. Pak para orës 15:00, në Milano nisën të fryjnë edhe erëra të forta.
Parashikimet tregojnë se paqëndrueshmëria atmosferike do të rritet gjatë mbrëmjes. Reshjet dhe stuhitë mund të shoqërohen me erëra të fuqishme dhe breshër, si pasojë e depërtimit të masave më të freskëta të ajrit në lartësi, pas periudhës së gjatë të dominuar nga anticikloni afrikan.
Si masë parandaluese, Bashkia e Milanos ka vendosur mbylljen e të gjitha parqeve publike gjatë gjithë ditës. Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin zonat me pemë dhe hapësirat e gjelbra deri në përfundimin e alarmit.
Vendimi lidhet me rrezikun e fenomenit meteorologjik të njohur si downburst, një rrymë shumë e fuqishme ajri që zbret nga stuhitë dhe mund të shkaktojë rrëzimin e pemëve, degëve dhe strukturave të lehta brenda pak minutash. Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe gjatë stuhisë së mbrëmjes së të hënës.
Autoritetet lokale këshillojnë qytetarët të kufizojnë lëvizjet gjatë kalimit të stuhive, të sigurojnë objektet në ballkone dhe tarraca dhe të ndjekin njoftimet e Mbrojtjes Civile dhe kanaleve zyrtare deri në përfundimin e alarmit.
Moti i keq ka përfshirë edhe pjesë të tjera të Lombardisë. Stuhitë po zhvillohen fillimisht në zonat alpine dhe para-alpine, për t'u zhvendosur më pas drejt fushave të larta dhe, herë pas here, edhe në pjesët qendrore dhe lindore të rajonit. Provincat më të prekura pritet të jenë Varese, Como, Lecco, Bergamo, Brescia dhe Sondrio, ku parashikohen reshje intensive, aktivitet i shpeshtë elektrik, erëra të forta dhe breshër lokal.
Edhe në zonat fushore, përfshirë rajonin metropolitian të Milanos, nuk përjashtohet mundësia e stuhive, megjithëse ato pritet të jenë më të shpërndara dhe me kohëzgjatje më të shkurtër. Sipas meteorologëve, kontrasti mes ajrit shumë të nxehtë të grumbulluar gjatë ditëve të fundit dhe hyrjes së ajrit më të freskët në lartësi është shkaku kryesor i paqëndrueshmërisë së motit.
Parashikimet tregojnë se situata do të përmirësohet shpejt gjatë orëve të mbrëmjes. Stuhitë pritet të lëvizin drejt juglindjes, ndërsa nga perëndimi do të nisin kthjellimet. Erërat veriore do të sjellin gjithashtu një rënie të ndjeshme të temperaturave dhe kushte më të freskëta krahasuar me ditët e fundit.
Lini një Përgjigje