
Celulat e lidhura me Iranin janë infiltruar në zemër të kontinentit, duke shfrytëzuar mbulesat diplomatike për spiunazh dhe planifikim sulmesh. Ndërsa islami politik kërcënon stabilitetin e Lindjes së Mesme, rreziku i një lufte hibride po troket në portat e Evropës përmes rrjeteve radikale shiite...
Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Itali ka lëshuar alarmin: në Evropë ekzistojnë celula të lidhura me Iranin që mund të jenë aktive. Ky institucion thekson se kriza në Lindjen e Mesme dhe lufta në Iran paralajmërojnë për rrezikun e luftës hibride dhe terrorizmit.
Edhe pse grupet që zakonisht i atribuohen sulmeve në Evropë janë sunite, Stefano Piazza - gazetar dhe ekspert i terrorizmit - beson ekziston edhe një terrorizëm me origjinë shiite, i lidhur me iranianët, që duhet mbajtur nën vëzhgim të rreptë.
Ky rrjet ka demonstruar tashmë praninë e tij në disa vende evropiane. Megjithatë, konflikti kundër Iranit nuk ka aktivizuar Shtetin Islamik sunit dhe Al-Kaedën, sepse kjo nuk është lufta e tyre. Duke sulmuar vendet sunite të Gjirit, Teherani po shihet me një sy kritik në botën myslimane.
Aq sa vetë Hamasi i ka kërkuar regjimit të Ajatollahëve që të ndalojë sulmet ndaj vendeve simotra. Ndërkohë, një shpërthim dëmtoi një shkollë hebraike në Amsterdam të Holandës.
Italia po ngre alarmin për sulme të reja terroriste. A ka ndonjë sulm terrorist shiit të lidhur me Iranin?
Rreziku i terrorizmit, qoftë shiit apo sunit, është gjithmonë i pranishëm. Në një kontekst si ky i luftës në Iran, nuk përjashtohen as veprime individuale për hakmarrje ndaj myslimanëve të goditur në konflikt.
Terrorizmi sunit mund të aktivizohet edhe pa u goditur drejtpërdrejt një vend sunit. Mjafton që ai të jetë islamik. Në përgjithësi, Irani është eksportuesi më i madh i terrorizmit në botë, sepse financon Hezbollahun, Hamasin dhe disa grupe në Amerikën e Jugut.
Rrjetet e Pasdaranëve dhe Forcat Quds, janë shumë të pranishme në Evropë dhe mund të aktivizohen për operacione të dhunshme. Aktualisht, ato monitorojnë diasporën iraniane, kërcënojnë dhe organizojnë rrëmbime.
Ku janë sinjalizuar aktivitetet e tyre në Evropë?
Në Itali, Gjermani, Austri, Zvicër, Suedi, Danimarkë dhe Norvegji. Ata kanë në rrradhët tyre elementë të rrezikshëm që frikësojnë, kërcënojnë dhe ndonjëherë planifikojnë sulme terroriste. Disa prej tyre janë parandaluar dhe ishin thurur nga grupe iraniane.
Për shembull në Suedi, u përpoqën të vrisnin spektatorët në një koncert. Ky rrjet është i pranishëm prej kohësh. Amerikanët kanë folur disa herë për disa depo armësh të Hezbollahut të shpërndara nëpër Evropë.
Pra, milicitë pro-iraniane janë aktive edhe në Evropë?
Po. Janë të pranishme qelizat e Hamasit, Xhihadit Islamik, Shtetit Islamik dhe Al-Kaedës. Kur flasim për akte terroriste, shumë prej tyre lidhen me grupimet e Hezbollahut dhe Forcave Quds. Në ambasadat iraniane në vendet e BE-së ka zyrtarë që shpesh merren vetëm me spiunazh.
A vërehet një rritje e tensionit në faqet fondamentaliste pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit?
Shteti Islamik, ISIS nuk është shumë i interesuar mbi këtë ngjarje. Revista e tyre e fundit në rrjetin e errët (dark web) merret kryesisht me Afrikën. Nuk thotë asgjë për Iranin, sepse e urren regjimin shiit atje dhe nuk e ndjen atë si luftën e tij.
Al-Kaeda interesohet pak më shumë, por as ajo nuk ndihet e përfshirë. Duke sulmuar vendet sunite të rajonit, Irani po humbet shumë mbështetje. Hamasi - sunit, por i financuar nga Teherani - i ka kërkuar të mos sulmojë vëllezërit e Gjirit. Iranianët po akuzohet për një faj të rëndë: si pasojë e sulmeve të tyre vdesin myslimanë të tjerë, mes tyre edhe fëmijë.
A ekziston ndonjë rrezik specifik për Italinë?
Rreziku i sulmeve terroriste të nxitura nga regjimi në Teheran na prek të gjithëve. Ekziston frika se lufta aktuale mund të bëhet e pakontrollueshme. Për transferimin e kontingjentit të trupave italiane nga baza e Erbilit në Irak do të duhet kohë.
Ai nuk mund të ndodhë menjëherë. Nuk duket si një mesazh për Iranin, por si një manovër mbrojtëse për të qëndruar jashtë luftës, ndonëse Italia është aleate e Shteteve të Bashkuara. Italia nuk dëshiron të përballet me një problem kaq të madh në një fazë kaq delikate./Përgatiti Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje