Bota24 Korrik 2023, 08:17

Rusia akuzon Ukrainën për një sulm me dron afër Moskës

Shkruar nga Pamfleti

Rusia akuzon Ukrainën për një sulm me dron afër Moskës

Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka sulmuar me dron drejt Moskës mëngjesin e sotëm. 

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se dy dronët janë “shtypur dhe shkatërruar”, mirëpo fatmirësisht nuk raportohet për viktima.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, ka raportuar se një dron ka rënë afër Ministrisë së Mbrojtjes.

Zyrtarët ukrainas nuk janë deklaruar ende, mirëpo ata rrallë e marrin përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se sulmet me dronë i kanë goditur ndërtesat “jo të banueshme” rreth orës 4:00 të mëngjesit.

Ai u shpreh se ndërtesat nuk kanë pësuar ndonjë dëm të madh.

Moska e ka akuzuar edhe në të kaluarën Ukrainën për kryerje të sulmeve me dronë.

Më herët gjatë këtij muaji, Rusia ka thënë se Ukraina ka nisur sulme me dronë në Moskë, duke rezultuar me ndërrim të kahes së fluturimeve që do të duhej të ateronin në Aeroportin ndërkombëtar Vnukovo.

Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.

Më herët, në maj, Kievi e ka mohuar kryerjen e një sulmi me dronë në Kremlin, të cilin Rusia e ka konsideruar si tentim-vrasje ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Incidenti i së hënës vjen një ditë pasi Rusia ka shënjestruar qytetin ukrainas të Odesës, me sulme të reja raketore.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar për hakmarrje.

“Definitivisht, ata do të përjetojnë këtë. Shënjestra të raketave nuk janë vetëm qytetet, fshatrat apo njerëzit. Shënjestër është njerëzimi dhe themelet e gjithë kulturës sonë evropiane”, ka thënë ai përgjatë një adresimi në mbrëmje.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

rusi ukraine sulm dron