Bota30 Maj 2023, 13:43

Rusia merr në mbrojtje Vuçiç: Perëndimi të mos fajësojë serbët për situatën në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Rusia merr në mbrojtje Vuçiç: Perëndimi të mos

Rusia ka reaguar sërish për tensionet në veri të Kosovës.

Moska ka marrë në mbrojtje qeverinë e Vuçiç dhe thotë se për t’i ulur tensionet në Kosovë, duhen “hapa vendimtarë”.

“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht ta ndalë propagandën e tij të rreme dhe, për incidentet në Kosovë, të ndalojë së fajësuari serbët, të cilët janë paqësorë, të paarmatosur dhe bëjnë përpjekje t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre legjitime”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë, transmeton Reuters.

Protestuesit serbë u përplasën të hënën me paqeruajtësit e KFOR-it në Zveçan.

Tridhjetë ushtarë të KFOR-it dhe mbi 50 protestues u plagosën në përleshje.

KFOR-i tha se tre ushtarë të tij janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit” gjatë përplasjeve me protestuesit serbë.

Një ditë më herët, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.

Ndërkohë NATO ka dënuar sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e ushtarëve.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, deklaroi se sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe se dhuna duhet të ndalet menjëherë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt”, tha ajo.

kosova