
Dronë dhe raketa u lëshuan në masë nga ushtria e Rusisë në disa rajone të Ukrainës. Në sulmin e ashpër të radhës u raportuan të paktën 3 viktima dhe mbi 45 persona të plagosur, të gjithë civilë.
Shifrat i konfirmojë edhe autoritetet rajonale të Ukrainës, ndërsa theksojnë se forcat ajrore kanë rrëzuar 510 dronë, 6 raketa balistike dhe 32 raketa lundruese të lëshuara gjatë natës nga Rusia.
Rajonet e prekura përfshijnë Zaporizhian me 1 viktimë dhe 25 të plagosur, Donjeckun me 1 të vrarë dhe 6 të lënduar, si dhe Kherson me 1 viktimë dhe 7 të plagosur.
Pas sulmeve të reja masive të orëve të fundit në disa rajone të Ukrainës, Presidenti Volodymyr Zelensky i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë ndaj këtyre veprimeve që sipas tij po vrasin negociatat për paqe. “Mjaft me fjalët, le të kalojmë te veprimet”, ishte thirrja e tij.
Presidenti i Ukrainës akuzon Moskën se po përdor ‘kohën e ndarë për përgatitjen e takimeve në nivel udhëheqësish për të zhvilluar sulme të reja masive’.
Megjithatë, presidenti rus e ka vëmendjen diku tjetër. “Militarizmi japonez po ringjallet nën maskën e kërcënimeve imagjinare ruse ose kineze, ndërsa në Europë, përfshirë Gjermaninë, po ndërmerren hapa drejt rimilitarizimit të kontinentit, duke mos marrë parasysh paralelet historike”, u shpreh presidenti rus gjatë një interviste.
Lini një Përgjigje