Një analizë e bazuar në imazhe satelitore tregon se SHBA-ja dhe Izraeli kanë ndërmarrë një fushatë të koordinuar për të goditur infrastrukturën raketore të Iranit, duke synuar veçanërisht hyrjet e objekteve nëntokësore ku ruhen dhe operohen lëshuesit e raketave.
Sipas të dhënave të shqyrtuara, janë analizuar 32 baza raketore, shumica e të cilave të ndërtuara brenda maleve. Të gjitha këto baza rezultojnë të goditura nga sulmet ajrore, kryesisht në hyrjet e tuneleve, ndërtesat në sipërfaqe dhe nyjet rrugore. Rreth 77% e 107 hyrjeve të tuneleve të identifikuara janë bombarduar.
Pamjet satelitore tregojnë gjithashtu shkatërrimin e të paktën 15 lëshuesve të raketave në këto baza. Ekspertët vlerësojnë se kjo strategji synon të bllokojë të ashtuquajturat “qytete nëntokësore”, ku Irani ruan dhe përgatit sistemet raketore për përdorim.
Sipas ekspertit të sigurisë Ankit Panda, këto struktura janë ndërtuar në male pikërisht për t’i rezistuar sulmeve të drejtpërdrejta: “SHBA dhe Izraeli nuk kanë arsenalin për t’i shembur plotësisht këto objekte dhe pikërisht për këtë arsye ato janë ndërtuar në male”.
Ai shton se operacionet kanë pasur ndikim të ndjeshëm: “Kanë qenë efektivë në varrosjen e aftësive të Iranit për raketa dhe dronë… kjo ka ndikuar ndjeshëm në aftësinë për të kryer një ritëm të lartë lëshimesh”.
Të dhënat tregojnë se lëshimet e raketave dhe dronëve nga Irani kanë rënë me mbi 90% që nga fillimi i konfliktit. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kapacitetet nuk janë eliminuar plotësisht dhe mund të vazhdojnë të përdoren për objektiva strategjikë.
Ndërkohë, disa imazhe tregojnë përpjekje të shpejta për riparim. Në një bazë pranë Isfahanit, pajisje ndërtimi janë parë duke hapur një hyrje tuneli të bllokuar më pak se 48 orë pas bombardimit.
Eksperti Sam Lair thekson se: “Do të vazhdoni të shihni disa lëshime… nuk do të zhduken, por do të vazhdojnë të bien ngadalë”./CNN

Lini një Përgjigje