TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Janar 2026, 17:19

SHBA, përgatitje për sulm ndaj Iranit; zyrtarë izraelitë dhe sauditë në Pentagon

Shkruar nga Pamfleti
SHBA, përgatitje për sulm ndaj Iranit; zyrtarë izraelitë dhe
Rubio me ushtarët amerikanë

Tensionet në Lindjen e Mesme po arrijnë një tjetër pikë vlimi, me burime të larta amerikane që konfirmojnë përgatitje aktive për një goditje ushtarake kundër Iranit. Sipas një raportimi të Axios, Pentagoni ka zhvilluar gjatë kësaj jave takime të nivelit të lartë me zyrtarë të mbrojtjes dhe inteligjencës nga Izraeli dhe Arabia Saudite.

Në fokus të këtyre takimeve ka qenë pikërisht identifikimi i objektivave potencialë në territorin iranian, një nismë e drejtpërdrejtë nga Uashingtoni. Gjenerali izraelit Shlomi Binder, drejtues i inteligjencës ushtarake, zhvilloi bisedime me zyrtarë të Pentagonit, CIA-s dhe Shtëpisë së Bardhë, ndërsa drejtori i Mossad-it, David Barnea, ka qëndruar gjithashtu në SHBA për konsultime me administratën Trump.

Ndërkohë, ministri saudit i Mbrojtjes, princ Khalid bin Salman, ndodhet në Uashington për takime me sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff. Pavarësisht pjesëmarrjes në këto bisedime, Arabia Saudite ka shprehur kundërshti të hapur ndaj përdorimit të territorit apo hapësirës ajrore të saj për sulme ndaj Iranit.

Arabia Saudite kërkon të ruajë një rol neutral në përshkallëzimin e mundshëm dhe ka kërkuar të ndërmjetësojë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Mbretëria kujton pasojat e luftës 12-ditore të qershorit 2025, kur Irani paralajmëroi sulme ndaj rafinerive dhe infrastrukturës kritike në shtetet e Gjirit, nëse territori i tyre përdorej për sulme amerikane.

Këto paralajmërime mbeten të vlefshme edhe sot. Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, mori garanci të drejtpërdrejta nga princi saudit Mohammed bin Salman, se SHBA nuk do të lejohet të përdorë hapësirën ajrore saudite.

Nga ana tjetër, Pentagoni ka rritur praninë ushtarake në rajon, ndërsa aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln është vendosur në ujërat e Lindjes së Mesme. “Urdhri aktual është: përgatitje. Por Presidenti pritet të marrë një vendim përfundimtar për Iranin në ditët në vijim”, konfirmoi për Axios një zyrtar amerikan.

 

Lini një Përgjigje