TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Mars 2026, 19:52

Shtëpia e Bardhë përgënjeshtron lajmin: Marina amerikane nuk ka shoqëruar asnjë anije cisternë në Hormuz

Shkruar nga Pamfleti

Shtëpia e Bardhë përgënjeshtron lajmin: Marina amerikane nuk

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Marina e Shteteve të Bashkuara nuk ka shoqëruar asnjë anije cisternë nafte përmes Ngushticës së Hormuzit, duke hedhur poshtë një deklaratë të mëparshme të sekretarit amerikan të Energjisë që u publikua dhe më pas u fshi nga rrjetet sociale.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt deklaroi se deri më tani nuk ka pasur asnjë operacion të tillë nga marina amerikane.

“Mund të konfirmoj se Marina Amerikane nuk ka shoqëruar asnjë anije cisternë apo anije tjetër deri në këtë moment”, tha Leavitt, duke shtuar se një veprim i tillë mbetet një opsion që presidenti mund ta autorizojë nëse do të konsiderohet i nevojshëm.

Deklarata vjen pasi sekretari amerikan i Energjisë Chris Wright publikoi në rrjetin social X një mesazh ku pretendonte se një tanker nafte ishte shoqëruar me sukses nga marina amerikane përmes Ngushticës së Hormuzit për të garantuar furnizimin e tregjeve globale me energji. Postimi u fshi vetëm pak minuta më vonë, pa dhënë shpjegime.

Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, marina amerikane nuk kishte kryer asnjë eskortë detare në atë moment.

Ndërkohë, kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, deklaroi se nëse ushtria ngarkohet me detyrën për të shoqëruar tankerët në këtë korridor strategjik, do të shqyrtojë opsione të ndryshme për të garantuar sigurinë e transportit të naftës.

Ideja për eskorta detare në Ngushticën e Hormuzit është diskutuar së fundmi edhe nga presidenti Donald Trump, i cili javën e kaluar sugjeroi mundësinë e një operacioni të tillë, por të hënën u shpreh se shpreson që një masë e tillë të mos jetë e nevojshme.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, dhe çdo tension në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.

Pas postimit të Wright në rrjetet sociale, çmimet e naftës pësuan një rënie të menjëhershme, por më pas u rikuperuan pasi mesazhi u fshi dhe u bë e qartë se nuk kishte pasur asnjë eskortë nga marina amerikane.

Lini një Përgjigje