TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2026, 15:10

Si e shkatërruan kapitalizmin kapitalistët

Shkruar nga Oren Cass
Si e shkatërruan kapitalizmin kapitalistët
Kapitalizmi /

Financiarizimi i ka shndërruar tregjet në qëllim në vete, duke e zhvendosur kapitalin nga inovacioni real drejt spekulimeve që pasurojnë vetëm një grup të ngushtë njerëzish. Për të shpëtuar kapitalizmin, duhet të rikthejmë rregullat që mbrojnë punën dhe prodhimin, duke e detyruar financën t’i shërbejë sërish rritjes së mirëqenies së përbashkët…

Në Uoll Strit është sezoni i bonuseve dhe viti 2026 po sjell paga rekord për bankierët e investimeve, falë punës së tyre të palodhur duke bërë... Epo, çfarë saktësisht? Përgjigja ndihmon në shpjegimin e problemeve më serioze ekonomike të vendit.

E gjitha fillon me Meri Popins. Nëse keni parë filmin klasik, ndoshta e mbani mend skenën ku bankierët e vjetër i këndojnë Majkëllit të vogël se, në vend që të shpenzojë paratë e tij, duhet t’ia japë bankës për të investuar në “hekurudha përmes Afrikës” dhe “digat përtej Nilit”.

Ky është një rrëfim bindës i motorit ekonomik që financoi modernitetin: njerëzit ua dhanë kursimet bankierëve, të cilët investuan kapitalin duke krijuar asete produktive në botën reale. Ato përpjekje gjeneruan fitime dhe sollën një shpërndarje produktive të burimeve.

Që nga ajo kohë, sektori financiar - bankat e investimeve, fondet spekulative, firmat e kapitalit privat - është rritur në mënyrë eksponenciale. Tani ai pretendon pjesën më të lartë të fitimeve të korporatave dhe tërheq talentet më të mira.

Por investimet aktuale të biznesit kanë rënë në një mesatare prej 2.9 për qind të PBB-së, nga 5.2 për qind që ishin në vitet 1960. Ndryshe nga banka e filmit të famshëm, sot një bankë investimi fiton kryesisht duke ofruar shërbime këshillimore, duke ekzekutuar skema inxhinierike financiare dhe duke mbledhur tarifa në çdo hap.

Progresi ekonomik duket se nuk ka rëndësi. Më pak se 10 për qind e punës së Goldman Sachs në vitin 2024 ishte ndihmë ndaj bizneseve për të mbledhur kapital. Edhe këto përpjekje janë mashtruese, sepse pjesa dërrmuese e kapitalit financon rifinancimin e borxhit ose bashkimet dhe blerjet.

Këto janë simptoma të “financiarizimit”, termi i përdorur për t’i bërë transaksionet financiare qëllime më vete, të shkëputura nga përfitimet shoqërore që janë qëllimi i duhur i kapitalizmit. Në një ekonomi të financiarizuar, bizneset bëhen thjesht burime parash që manipulohen për kthime maksimale.

Ndërkohë punëtorët bëhen thjesht një kosto, njëlloj si druri. Ky proces i ka bërë bizneset amerikane më pak inovative dhe ka nxitur humbjen e vendeve të punës në prodhim. Ai ka korruptuar sektorë ku fitimi nuk duhej të mbretëronte kurrë - nga praktikat veterinare te spitalet dhe azilet - duke i menaxhuar ato me një efikasitet të pamëshirshëm, duke shtrydhur klientët dhe duke e quajtur këtë “krijim vlere”.

Kapitalistët që promovojnë financiarizimin janë bërë armiku më i keq i kapitalizmit. Kur konsumatorët joshen nga borxhet me “pagesa të lehta”, ose kur linjat ajrore fitojnë më shumë duke shitur milje për kartat e kreditit sesa duke fluturuar pasagjerë, financiarizimi është bërë farsë.

Madje, vala e fundit e “inovacionit” përpiqet t’i përfshijë konsumatorët në skema si kriptomonedhat ose tregjet e parashikimeve, ku synohet të krijohet një aset i tregtueshëm nga çdo ndryshim opinionesh.

Nën sipërfaqe, tregjet e aksioneve dominohen nga fondet spekulative që lejojnë formulat matematikore të diktojnë blerjet, duke u mbështetur te shpejtësia e mikrovalëve për të fituar fraksione sekonde. Ky është nihilizmi financiar: një model biznesi i ndërtuar mbi manipulimin e sistemit pa u shqetësuar se çfarë tregtohet.

Kompanitë e kapitalit privat kontrollojnë triliona dollarë, por pak prej tyre investojnë drejtpërdrejt në rritjen e kompanive. Kryesisht, këto para përdoren për blerje të nxitura nga borxhi. Kur kompanitë nuk gjejnë blerës, ato krijojnë “fonde vazhdimësie” për të blerë asete nga vetvetja, duke gjeneruar tarifa të reja.

Në tregun e kreditit privat, firmat i japin hua njëra-tjetrës për të financuar transaksionet, duke anashkaluar rregullatorët bankarë. Nëse shpërthen kjo flluskë, përgatituni për krizën e ardhshme financiare. Në lojë janë futur edhe bizneset jofinanciare.

Gjigantë si Intel dhe Boeing shpenzuan miliarda dollarë për të blerë mbrapsht aksionet e tyre për të kënaqur investitorët, ndërsa mbetën prapa konkurrentëve të huaj. Financuesit thonë se kjo transferon kapitalin te ata që mund ta përdorin më mirë. Por në realitet, ato para shpesh përfundonin në Bitcoin ose shpenzohen, pa ndërtuar asgjë.

E pazakonta këtu është se financa moderne po dështon edhe sipas kushteve të veta. Bashkimet dhe blerjet e kompanive e shkatërrojnë vlerën në 70-90 për qind të rasteve. Tani kapitali privat po paraqitet më dobët se një fond i thjeshtë i indekseve siç është edhe S&P 500. Fondet spekulative janë paraqitur vazhdimisht më keq se aksionet normale që nga viti 2008. E megjithatë, ky sistem krijon fitues: vetë financuesit dhe ushtritë e këshilltarëve që i rrethojnë.

Ndërsa dinamizmi ekonomik në SHBA ka rënë gjatë 30 viteve të fundit, fitimet u përqendruan vetëm në qendrat financiare si Nju Jorku apo Konektikati. Kur suksesi i bankierëve ishte i lidhur me rritjen e produktivitetit, Amerika prodhoi një zhvillim me bazë të gjerë.

Ndërkohë financiarizimi e ka zhvendosur rrezikun te punëtorët, që kanë për të humbur vetëm një vend pune. Ne i çliruam këto forca me premtimin e zhvillimit, por morëm të kundërtën.

Gjithsesi, një politikë më e mirë mund ta vendosë ekonominë në një kurs më të drejtë. Ky ndryshim duhet të fillojë me vendosjen e rregulloreve që kufizojnë aktivitetet financiare më të rrezikshme dhe të ndërlikuara, ashtu siç u veprua dikur me aksionet dhe obligacionet.

Është e domosdoshme që të ndalohet dhënia e avantazheve tatimore për kompanitë që mbajnë borxhe të tepërta, dhe të vendoset një taksë mbi transaksionet financiare për t’i bërë ekonomikisht jo tërheqëse strategjitë spekulative, si tregtimi me frekuencë të lartë.

Reformat duhet të prekin edhe ligjet e falimentimit, në mënyrë që kur kompanitë dështojnë, punëtorët dhe komunitetet e tyre të kenë përparësi për kompensim përpara huadhënësve që financuan rrëmujën.

Po ashtu, duhet të ndalohet praktika e riblerjes së aksioneve, e cila ishte e paligjshme deri në vitet 1980 dhe që sot shërben si një mjet për të “kanibalizuar” investimet afatgjata. Asnjë nga këto masa nuk do të pengonte funksionet themelore të një sektori financiar efektiv, i cili duhet t'u shërbejë kursimtarëve dhe bizneseve që ndërtojnë gjëra reale.

Por nuk mjafton vetëm politika. Duhet edhe një reformë e thellë kulturore. Duhet të guxojmë të themi se menaxherët e fondeve spekulative “janë lakuriq” dhe se modeli i tyre i biznesit nuk prodhon vlerë neto për shoqërinë.

Ekonomistët dhe media duhet të ndalojnë përdorimin e fjalës “investim” për bastet dhe spekulimet financiare. Politikanët duhet ta dënojnë financiarizimin si një veprimtari absurde, madje edhe me koston e humbjes së donatorëve të pasur.

Po ashtu, universitetet dhe fondacionet e mëdha duhet t’i vendosin asetet e tyre në përputhje me vlerat që shpallin, duke i ridrejtuar kursimet drejt investimeve reale. Adam Smith na kujtoi dikur se njeriu dëshiron natyrshëm të jetë objekti i duhur i lavdërimit dhe t’i trembet fajësisë.

Mënyra se si do ta vlerësojmë financiarizimin në sytë e shoqërisë do të përcaktojë suksesin e ekonomisë sonë. Shpëtimi i kapitalizmit kërkon që bota e financave të kthehet në rolin e saj mbështetës: si një mjet për të ndërtuar botën, jo një mekanizëm për ta konsumuar atë./Përshtati Pamfleti nga “New York Times”

kapitalizmi kapitalistët

Lini një Përgjigje