Bota19 Mars 2023, 11:42

Si u ndikua Europa Juglindore nga pushtimi rus i Ukrainës

Shkruar nga Pamfleti
Si u ndikua Europa Juglindore nga pushtimi rus i Ukrainës

Pushtimi rus i Ukrainës pati ndikim të madh në të gjitha vendet e rajonit. DW shqyrton më në thellësi se si Bullgaria, Greqia, Hungaria dhe Rumania, janë prekur nga lufta në vazhdim, shkruan Cristian Stefanescu në Bukuresht.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë te fqinjët e saj të afërt, duke i kthyer ata në vende pritëse ose vende tranziti për refugjatët. Plot tre milionë ukrainas kaluan nga territori i Rumanisë, ndërsa 100,000 njerëz u vendosën atje.

Por edhe Bullgaria dhe Greqia, dy shtete që ndodhen më larg, janë prekur gjithashtu nga agresioni i Rusisë. Ata kanë pranuar refugjatë ose (në rastin e Bullgarisë) kanë furnizuar Ukrainën me armatime.

Një drejtim të ndryshëm ka ndjekur vetëm Hungaria, me kryeministër Viktor Orbanin, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin që ka mbështetur me ngurrim sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Rumania, frika nga një sulm rus

Rumunët nuk kanë qenë aq të frikësuar sa në orët e para të 24 shkurtit 2022, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Shumë pyesnin veten se çfarë do të ndodhte nëse Rusia do të sulmonte Rumaninë.

“Ushtria dhe shërbimet e inteligjencës u përgjigjën shpejt dhe saktë”, tha për DW, eksperti ushtarak rumun, Claudiu Degeratu.

Që atëherë, buxheti i mbrojtjes i vendit është rritur dhe ka nisur një program i modernizimit ushtarak. Degeratu thotë se investimi i menjëhershëm në industrinë vendase të armëve, është tani i nevojshëm. NATO ka rritur gjithashtu praninë në Rumani.

Për shkak se Rumania nuk është shumë e varur nga gazi rus dhe për shkak se kishte pak marrëdhënie financiare me Rusinë, ajo nuk është aq e cenuar sa vendet e tjera anëtare të BE-së, tha për DW gazetari i biznesit, Stelian Muscalu.

Sipas Muscalu, treguesit makroekonomikë të Rumanisë kanë mbetur kryesisht të pandryshuar. Nga ana tjetër, njerëzit kanë më shumë frikë, gjë që ka ulur shpresat për një rritje ekonomike pas pandemisë COVID-19.

“Rritja e shpejtë e inflacionit, për shkak të çmimeve të energjisë dhe menaxhimit të dobët ekonomik, ka ulur të ardhurat e njerëzve dhe standardin e jetesës”, tha Muscalu.

Bullgaria, duke mbështetur në heshtje Ukrainën me municione
Nga ana formale, qeveria bullgare deri më sot nuk ka dërguar as municione dhe as armë të drejtpërdrejta në Ukrainë. Në një pamje të parë, kjo nuk është befasuese duke pasur parasysh qëndrimin tradicionalisht pro-rus të Bullgarisë.

Por asgjë nuk është ashtu siç duket: sepse, në të vërtetë, Bullgaria, një anëtare e NATO-s, është një nga furnizuesit më të rëndësishëm të armëve në Ukrainë.

Qeveria e reformatorit properëndimor Kiril Petkov, e cila ishte në detyrë për vetëm tetë muaj, furnizoi Ukrainën me municione dhe me naftë, nga prilli deri në gusht 2022. Është vlerësuar se rreth 30% e municioneve dhe deri në 40% e karburantit të tankeve dhe mjeteve të nevojshme të ushtrisë ukrainase, vinin nga Bullgaria.

Kjo është edhe më e habitshme duke pasur parasysh se Bullgaria, e cila varet shumë nga furnizimet ruse me energji, ishte një nga vendet e para të cilit Rusia i ndërpreu furnizimet me gaz, prillin e kaluar. Dhënia e naftës në kohëra të tilla, ishte vërtet një veprim i guximshëm.

Hungaria, në kundërshtim me Europën
Vetëm disa ditë para përvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, nxori në pah edhe një herë reputacionin e tij si “krahu i zgjatur i Putinit” në BE. Nuk pati asnjë fjalë të vetme solidariteti me Ukrainën, në fjalimin vjetor për gjendjen e kombit, mbajtur në Budapest, më 18 shkurt.

Përkundrazi, ai e akuzoi Perëndimin se po mbështet luftën dhe se po sillet si “një somnambul që ecën mbi çati”, duke shkuar drejt një lufte të re botërore. Ai bëri thirrje për t’u dhënë fund sanksioneve kundër Moskës, për të pasur marrëdhënie të mira ekonomike midis Perëndimit dhe Rusisë dhe për “negociata paqeje midis amerikanëve dhe rusëve”.

Greqia, refugjatët gjejnë një shtëpi të re
“Unë thjesht po përpiqem të jem e lumtur”, tha për DW refugjatja Nina Plechak-Paskal. Kur ushtria e Putinit pushtoi Krimenë dhe grupet pro-ruse, të kontrolluara nga Moska, pushtuan vendlindjen e saj Donetsk në vitin 2014, ajo u zhvendos në kryeqytetin ukrainas. “Më duhej të filloja nga e para në Kiev”, kujton ajo.

Më pas, kur Rusia pushtoi Ukrainën një vit më parë, ajo u largua përsëri, këtë herë në Selanik.

Nina është anëtare e pakicës ukrainase prej 90,000 banorësh në Greqi. Duke qenë se flet greqisht, e ka më të lehtë integrimin në vendin pritës. Ajo mundi të mbante punën në një kompani logjistike në Ukrainë dhe tani punon online nga Greqia.

Vajza e saj 15-vjeçare ndjek një shkollë ndërkombëtare në Greqi gjatë ditës dhe merr mësime online nga shkolla ukrainase në mbrëmje./Monitor

ukraina pushtimi rus