Lionel Mesi vazhdon të thyejë rekorde dhe të shkruajë historinë e futbollit botëror. Ylli argjentinas shënoi golin e tij të 911-të në karrierë, gjatë fitores 3-0 të Argjentinës ndaj Islandës në ndeshjen e fundit miqësore përpara nisjes së Kupës së Botës.
38-vjeçari e nisi takimin nga stoli, por ndikimi i tij u ndje menjëherë pas aktivizimit në pjesën e dytë. Vetëm pak minuta pasi hyri në fushë, Mesi gjeti rrugën e rrjetës nga pika e bardhë në minutën e 72-të, duke dhënë një tjetër sinjal pozitiv për gjendjen e tij fizike dhe sportive.
Me këtë realizim, kapiteni i Argjentinës ka arritur shifrën e 911 golave në 1,156 ndeshje zyrtare, ndërsa vijon të afrohet drejt një tjetër objektivi historik: 1,000 golat në karrierë. Aktualisht, ai ndodhet 89 gola larg këtij rekordi të jashtëzakonshëm.
Rivaliteti i përhershëm me Kristiano Ronaldon mbetet gjithashtu në qendër të vëmendjes. Sulmuesi portugez kryeson aktualisht me 974 gola të shënuar në karrierë, por paraqitjet e Mesit dhe ndeshjet e ardhshme në Kupën e Botës pritet ta mbajnë të hapur garën mes dy legjendave të futbollit.
Trajneri Lionel Skaloni mori sinjale inkurajuese nga paraqitja e liderit të skuadrës, ndërsa Argjentina e mbylli fazën përgatitore me optimizëm dhe besim të plotë për mbrojtjen e titullit të kampionit të botës.
Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, Mesi ka realizuar 672 gola me Barcelonën, 117 me kombëtaren e Argjentinës, 89 me Inter Miami dhe 32 me PSG-në. Përveç golave, ai numëron edhe 414 asistime, duke konfirmuar statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e sportit.
Lini një Përgjigje