Vuçiç po ushqen mitin e rremë të rrethimit, duke e shndërruar Serbinë në një fortesë paranojake që mbështetet mbi armatime të huaja dhe nostalgji imperialiste. Ky diskurs i vetë-viktimizimit, është maska e një politike ekspansioniste, e cila synon destabilizimin e rajonit përmes frikës dhe presionit ushtarak. Ndërkohë, apatia e Perëndimit e bën këtë lojë edhe më të rrezikshme, duke i dhënë Serbisë hapësirë për të manipuluar balancat e brishta të Ballkanit...
Deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, pas raportimit mbi gjendjen operative të forcave të armatosura për vitin 2025, shënojnë një kthesë të errët në diskursin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Me një retorikë të ngarkuar me paranojë, ai ka vënë theksin te formimi i asaj që e quan “aleanca ushtarake rajonale kundër Serbisë”, duke shënjestruar hapur bashkëpunimin në rritje midis Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës.
Kjo narrativë e fabrikuar, shërben si justifikim për një proces të paprecedentë militarizimi, që po e shndërron Serbinë në një garnizon të izoluar. Vuçiç, me tonin e një profeti të rremë, tha se Beogradi po vepron me “përgjegjshmëri” për të parandaluar agresionin e fqinjëve, ndërkohë që kapacitetet mbrojtëse të vendit janë rritur në mënyrë dramatike, veçanërisht në forcat ajrore dhe mbrojtjen kundërajrore.
Ky militarizim mbështetet nga një buxhet rekord, që kap shifrën prej 2.65 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku mbi gjysma e fondeve shkojnë për armatim dhe teknologji lufte.
Serbia po ushqehet me sisteme ruse, kineze dhe së fundmi franceze, ndërsa rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak prej 75 ditësh synon të krijojë një rezervë të madhe njerëzore, të gatshme për t’u përdorur si mish për top në lojën e rrezikshme të Vuçiçit.
Nëse Serbia do të dëshironte vërtet fqinjësi të mirë, nuk ka asnjë arsye logjike që ajo të ndehet e kërcënuar nga fqinjët e saj. Tirana, Zagrebi dhe Prishtina e kanë deklaruar hapur se forcimi i mbrojtjes së tyre është kundërpërgjigje ndaj rrezikut rus dhe nevojës për të siguruar krahun lindor të NATO-s.
Por fakti që Vuçiç e ndjen veten të rrezikuar nga kjo mbrojtje, është një demaskim i plotë i pozicionit të tij: Serbia pranon tërthorazi se interesat e saj janë të lidhura ngushtë me Moskën.
Vuçiç, si një kukull e Putinit, e kthen “sindromën e vetë-rrethimit” në një mjet për të mbajtur rajonin nën tension, ndërsa Perëndimi vazhdon të shfaqë një apati të rrezikshme.
Heshtja relative e NATO-s dhe SHBA-së ndaj ideologjisë së “Botës Serbe” dhe rrezikut të destabilizimit të Bosnjë-Hercegovinës, po interpretohet në rajon si një tolerancë e dëmshme.
Vuçiç, me tonet e tij gjithnjë e më të ashpra, paralajmëron për një bashkim politik e shpirtëror me serbët e Bosnjës, ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli mjaftohen ende me deklarata rutinë, duke lënë hapësirë që Serbia të shfrytëzojë pasivitetin e tyre për të ndryshuar “de facto” balancën e forcave.
Ky militarizim i përshpejtuar dhe retorika e “rrethimit”, e kanë goditur rëndë edhe procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, duke e zhvendosur fokusin nga normalizimi diplomatik drejt një balance të brishtë ushtarake.
Serbia po përdor armatimin e vrullshëm dhe paralajmërimet për bashkimin e serbëve si mjet presioni, duke dërguar mesazhin se është e gatshme të mbrojë interesat e saj edhe jashtë kornizave të ndërmjetësuara nga Brukseli.
Kjo qasje e bën dialogun pothuajse jofunksional. Çdo hap i Kosovës për forcimin e sovranitetit të saj portretizohet nga Beogradi si pjesë e një “pakti agresiv”, duke krijuar një cikël pafund akuzash që e mbajnë rajonin në një gjendje të ngrirë konflikti.
Në këtë kontekst, apatia e NATO-s dhe SHBA-së po krijon një asimetri të rrezikshme, ku dialogu nuk shihet më si mjet për paqe, por si një hapësirë ku Serbia blen kohë për të rritur epërsinë e saj ushtarake.
E ndjerë nën presionin e këtij militarizimi dhe e pasigurt nga reagimi i vakët ndërkombëtar, Prishtina, detyrohet të kërkojë aleanca më të ngushta me Tiranën dhe Zagrebin, gjë që përforcon narrativën e Vuçiçit për aleancat “anti-serbe”.
Ballkani po shndërrohet në një fushë shahu, ku lëvizjet e trupave dhe blerjet e raketave peshojnë më shumë sesa marrëveshjet e nënshkruara në letër. Një incident i vetëm mund të shpërthejë një krizë të re, ndërsa diplomacia perëndimore, e mbingarkuar me jo përballimin e jo pak krizave, duket e papërgatitur ta menaxhojë./ Përshtati "Pamfleti", nga "Tanjug"
Nuk e di pse perdorni superlativa per qener kriminele banale duke i cilesuar presidenti X e Y kur keta kafshe nuk meritojne as titullin zotni, pse? Presidentin le ta mbaje kush popull qen bir qeni e ka zgjedhur e jo te tjeret qe nuk e vleresojne as me nje mut ne oturak. C'eshte kjo gjeme nderkombetare me tituj te larte per halera qe i krijojne njerezimit dhimbje e gjakderdhje!?