Rikthimi i Aleksis Tsipras po trazon sërish të majtën greke, ndërsa SYRIZA po zhytet në një krizë të re të brendshme pas përjashtimit të Pavlos Polakis. Debati për krijimin e një partie të re nga ish-kryeministri ka nxjerrë në pah përçarjet, rivalitetet dhe frikën për shpërbërjen e partisë që dikur drejtonte Greqinë.
SYRIZA greke po zhytet sërish në një krizë të thellë të brendshme, duke konfirmuar se largimi i Aleksis Tsipras nuk solli stabilitet, por një seri përplasjesh të vazhdueshme që po e çojnë partinë greke drejt fragmentimit politik.
Përjashtimi i bujshëm i deputetit Pavlos Polakis nga grupi parlamentar i SYRIZA-s nga lideri aktual Sokratis Famellos ka hapur një tjetër front të ashpër brenda partisë, në një moment kur e majta greke po përballet me rënie të ndikimit dhe konfuzion mbi të ardhmen e saj politike.
Kriza shpërtheu pas deklaratave të ish-zyrtarit Dimitris Hatzisokratis, i cili sugjeroi publikisht pezullimin e funksionimit të SYRIZA-s dhe integrimin e saj në një parti të re që mund të krijohet nga Aleksis Tsipras.
Ai propozoi madje që emri, simboli, pasuria dhe financimet shtetërore të SYRIZA-s t’i kalonin formacionit të ri politik që mund të drejtohej nga ish-kryeministri grek.
Kjo deklaratë tronditi partinë dhe nxori në pah frikën reale brenda SYRIZA-s se Aleksis Tsipras po përgatitet për rikthim politik me një projekt të ri, duke lënë pas një parti të konsumuar nga konfliktet e brendshme.
Pavlos Polakis reagoi ashpër kundër heshtjes së lidershipit dhe sulmoi drejtpërdrejt Sokratis Famellos, duke e akuzuar për mungesë iniciative dhe për tolerim të shpërbërjes së partisë.
“Çfarë po i shërben me këtë heshtje, mungesë iniciative dhe pavendosmëri?”, shkroi Polakis, duke kërkuar mbledhje urgjente të organeve drejtuese të partisë.
Por reagimi i tij solli përplasjen finale me Famellos. Lideri i SYRIZA-s e përjashtoi menjëherë nga grupi parlamentar, duke e akuzuar për sulm personal dhe insinuata se po vepron me “axhendë të fshehtë”.
Famellos deklaroi se nuk do të lejojë “strategji personale dhe thashetheme” që dëmtojnë seriozitetin e partisë dhe insistoi se SYRIZA duhet të ecë drejt bashkimit të forcave progresiste dhe jo drejt luftërave të brendshme.
Nga ana tjetër, Polakis shpërtheu me akuza të forta, duke deklaruar se “tre liderë radhazi” e kanë përjashtuar nga grupi parlamentar dhe duke akuzuar Famellos se po sheh “shpërbërjen e partisë pa reaguar”.
“Unë isha dhe do të jem SYRIZA”, deklaroi ai, duke paralajmëruar përplasje të reja në organet drejtuese të partisë.
Kriza aktuale konsiderohet më e thellë se një konflikt personal. Ajo reflekton betejën për identitetin dhe mbijetesën e SYRIZA-s pas epokës Tsipras.
Pas humbjeve elektorale dhe largimit të Tsipras nga drejtimi i partisë, SYRIZA nuk ka arritur të gjejë stabilitet politik. Përkundrazi, partia është futur në një cikël krizash, largimesh, përçarjesh dhe rivalitetesh të brendshme që po dobësojnë vazhdimisht opozitën e majtë në Greqi.
Në sfond qëndron gjithnjë figura e Aleksis Tsipras, i cili edhe pse formalish jashtë drejtimit të partisë, vazhdon të dominojë debatin politik në kampin progresist grek. Zërat për krijimin e një force të re politike nga ish-kryeministri po shtohen dhe kjo po krijon nervozizëm të madh brenda SYRIZA-s.
Për shumë analistë në Athinë, përjashtimi i Polakis është shenjë se partia po hyn në një tjetër fazë përçarjeje, ndërsa pyetja kryesore mbetet nëse SYRIZA mund të mbijetojë si forcë e bashkuar apo do të copëtohet përfundimisht pas epokës Tsipras. /Pamfleti
Lini një Përgjigje