
Kryeministri britanik Keir Starmer do të udhëtojë nesër drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në takimin mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump, ku do të jenë të pranishëm edhe liderë të tjerë europianë.
Në një deklaratë zyrtare, Downing Street theksoi se pjesëmarrja e Starmer vjen pasi ai ka përshëndetur përpjekjet e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës së paligjshme të Rusisë në Ukrainë, duke riafirmuar se rruga drejt paqes nuk mund të përcaktohet pa përfshirjen e Zelenskyt.
Po ashtu, Starmer ka bashkëkryesuar sot një takim, ku është diskutuar mbi garantimin e sigurisë për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje të mundshme.
“Gjatë takimit që do të mbahet nesër në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri, së bashku me partnerë të tjerë europianë, është i gatshëm të mbështesë këtë fazë të re të bisedimeve dhe do të riafirmojë se mbështetja e tij për Ukrainën do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje