
Të paktën 16 persona kanë humbur jetën pas tornadove të fuqishme që goditën dy shtete amerikane, Kentucky dhe Missouri, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë natyrore. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë me intensitet.
Në Kentucky janë konfirmuar 9 viktima, ndërsa 7 persona kanë vdekur në Missouri, pesë prej të cilëve në qytetin e St. Louis – një prej zonave më të goditura. Në Laurel County, juglindje e Kentucky-t, tornadoja u shfaq me dhunë gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, duke lënë pas një peizazh shkatërrimi dhe dëshpërimi.
Në Missouri, mbi 5,000 ndërtesa janë shembur ose dëmtuar rëndë, ndërsa mbi 100,000 shtëpi në St. Louis kanë mbetur pa energji elektrike. Në mes të kaosit, Departamenti i Zjarrfikësve po zhvillon operacione intensive për të shpëtuar të mbijetuarit në zonat më të rrezikuara.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, tornadoja goditi zonën e Forest Park – afër Kopshtit Zoologjik të qytetit dhe vendit historik të Lojërave Olimpike të 1904 – rreth orës 14:30 të premten. Një pjesë e Kishës së Krishterë Centennial u shemb, duke i shpëtuar disa jetë, por fatkeqësisht një prej personave të nxjerrë nuk mundi të mbijetojë.
Kryetarja e bashkisë së St. Louis, Cara Spencer, deklaroi se “sot jemi të përqendruar në shpëtimin e jetëve dhe mbajtjen e sigurisë... por na pret shumë punë në ditët që vijnë.”
Autoritetet kanë shpallur shtetrrethim në zonat më të prekura, në fuqi deri në orën 06:00 të mëngjesit, për të garantuar sigurinë dhe për të frenuar kaosin e mundshëm.
Një tjetër tragjedi e madhe godet SHBA-në, ndërsa komunitetet e prekura po përballen me pasojat e dhimbshme të natyrës që, për të disatën herë, tregon fuqinë e saj të pamëshirshme.
Lini një Përgjigje