
Në një koncert të grupit Coldplay në stadiumin Gillette në Boston, një moment i zakonshëm romantik i filmuar nga “kiss cam”, kamera që zbulon çiftet në publik, u kthye në një skandal publik. Një burrë dhe një grua u shfaqën në ekran duke përqafuar njëri-tjetrin me afeksion. Komentimi i Chris Martin, frontmeni i grupit, që u shpreh me humor se “këta dy ose janë shumë të turpshëm, ose kanë një lidhje sekrete”, rezultoi fatkeqësisht i vërtetë.
Pak pas publikimit të videos në rrjet, përdoruesit e internetit identifikuan menjëherë çiftin: ai ishte CEO i një startup-i teknologjik miliardë-dollarësh, ajo drejtuese e burimeve njerëzore e sapopunësuar në të njëjtën kompani. Të dy rezultuan të martuar, me familje të tyre. Rrjetet shpërthyen: profilet e tyre në LinkedIn dhe rrjete të tjera sociale u mbushën me mesazhe, ndërsa partnerët e tyre u bënë objekt komentesh publike, empatie, por edhe presioni.
Gruaja e CEO-së hoqi mbiemrin e burrit nga profili në Facebook dhe më pas fshiu të gjitha llogaritë. Ndërkohë, kompania e tyre hoqi mundësinë për të parë profilet sociale të stafit. Për pasojë, interneti shkaktoi një “linçim dixhital” klasik, ose më saktë një rast të pastër doxxing-u, ku individë anonimë përdorin mjete online për të identifikuar dhe ekspozuar të dhëna personale të të tjerëve.
Në këtë rast, mendohet se u përdorën softuerë si PimEyes, një mjet i diskutueshëm për njohjen e fytyrës, që krahason fotografi të ngarkuara me ato të publikuara online. Ky mjet, i instaluar edhe nga studentë të Harvard-it në syze të zgjuara, shfaq fuqinë e rrezikshme që teknologjia ka për të ekspozuar çdo njeri në kohë reale.
Edhe pse disa platforma si Google Lens, Gemini apo ChatGPT kufizojnë funksionalitetin për identifikimin e personave në foto, rasti i Coldplay dëshmon se privatësia dixhitale është gjithnjë në rrezik, dhe shpesh mjafton një moment në ekran për ta kthyer jetën në një makth publik. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje