Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali, ku një person ka humbur jetën dhe 10 të tjerë u plagosën pas shembjes së çatisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një restorant të famshëm në Terracina, një qytet bregdetar në provincën e Latinës. 31-vjeçarja Mara Severin e cila punonte si kamariere, u nxor e gjallë nga rrënojat por vdiq pasi u dërgua në spital.
Ndërkohë 10 persona mbetën të plagosur nga shembja e çatisë. Tre prej tyre u shtruan në spital pasi u plagosën rëndë, por fatmirësisht të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në kohën kur ndodhi ngjarja kishte shumë klientë, përfshirë edhe turistë të huaj. Zona përreth restorantit u mbyll për të kryer operacionet e shpëtimit.
Disa dëshmitarë flasin për dy shembje. Ndër hipotezat është edhe moti i keq, veçanërisht erërat e forta pasi e gjithë zona e Terracina-s ishte nën alarm të verdhë.
Somelierja kishte dhjetë vjet që punonte në restorantin Essenza. Në një postim në rrjetin social Instagram tetorin e kaluar, ajo tregoi se si filloi puna e saj në restorantin e famshëm.
"Kanë kaluar 10 vjet që kur kalova atë portë pa e ditur se çfarë do të më rezervonte ajo bisedë dhe ajo fundjavë prove. Një udhëtim i gjatë i përbërë nga shumë momente, plot emocione, që nuk ndalet por vazhdon në atë rrugë", shkruante kamerierja e restorantit.

Lini një Përgjigje