TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Janar 2026, 21:19

Trump vendos një “sorosian” në krye të Gazës!

Shkruar nga Giulia Belardelli

Trump vendos një “sorosian” në krye të Gazës!

Bullgari Mlladenov do të drejtojë Këshillin për Paqe, të përbërë nga liderë dhe personalitete të larta të vendeve të ndryshme, me detyrë mbikëqyrjen e komitetit palestinez që do të administrojë Gazën. Mbetej e paqartë çështja e çarmatosjes së Hamasit, ndërsa Izraeli ka gati planet për një ofensivë të re...

Në mesin e shkeljeve të armëpushimit, hakmarrjeve dhe kushteve të jetesës jashtëzakonisht të vështira, popullsia në Gaza e ka të vështirë të imagjinojë të ardhmen. Rripi është shndërruar në rrënoja, teksa ushtria izraelite ka vazhduar të shembë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor mbi 2.500 struktura. Kjo sipas një analize të New York Times, bazuar në imazhet satelitore të Planet Labs.

Por pavarësisht brishtësisë së armëpushimit dhe pasigurive mbi çarmatosjen e Hamasit, ajo që u shpall sot nga zyrtarë amerikanë përfaqëson një dritë shprese për momentin e vetmja për të menduar një rrugë rikonstruksioni të territorit të shkatërruar nga lufta.

Ky është fillimi i fazës së dytë të të ashtuquajturit “plani Trump”, që parashikon kalimin nga ndalimi i armiqësive tek qeverisja dhe rindërtimi i territorit. Sipas planit, një organizëm palestinez teknokratik (Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës), i mbikëqyrur nga një “Këshill për Paqe” ndërkombëtar, do të ketë detyrën të qeverisë Gazën për një periudhë tranzicioni.

Një rol kyç do të luajë Nikollai Mlladenov, ish-i dërguar i OKB-së për paqen në Lindjen e Mesme dhe ish-ministër i Jashtëm bullgar, i emëruar përfaqësues i lartë i Këshillit për Paqe, të kryesuar nga vetë Trump, me detyrën për të mbikëqyrur zbatimin e planit.

Komiteti palestinez, i përbërë nga 14 anëtarë, do të udhëhiqet nga Ali Shath, ish-zëvendësministër i Autoritetit Kombëtar Palestinez, i mbështetur nga Perëndimi, i cili më parë kishte qenë përgjegjës për zhvillimin e zonave industriale. Anëtarët e tjerë të zgjedhur nga Mlladenov përfshijnë personalitete nga sektori privat dhe organizata joqeveritare. Hamas dhe rivali i tij Fatah, i udhëhequr nga presidenti palestinez Mahmud Abaz, kanë miratuar listën e anëtarëve.

Në teori, komiteti i teknokratëve palestinezë do të jetë përgjegjës për menaxhimin e përditshëm të enklavës, përfshirë shërbimet higjienike, shërbimet publike dhe arsimin. Një detyrë titanike, në një territor ku jetojnë gati 2 milionë të zhvendosur (gati e gjithë popullsia e Rripit jeton në tenda të improvizuara ose ndërtesa të dëmtuara).

Mbikëqyrjen dhe “direktivat e nivelit të lartë” do t’i japë Këshilli për Paqe, i përbërë nga një duzinë liderësh botërorë dhe i drejtuar nga Mlladenov. Në fillim Trump kishte propozuar ish-kryeministrin britanik Toni Bler, por bota arabe e refuzoi, duke kujtuar rolin e tij në pushtimin katastrofik të Irakut në vitin 2003 dhe dështimet e tij si përfaqësues i “Katërshes” (OKB, BE, SHBA dhe Rusi).

Në fund u zgjodh bullgari Mlladenov, ish-i dërguar i OKB-së në Lindjen e Mesme, i cili shpesh është angazhuar për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Hamasit. Një zgjedhje disi e habitshme, duke pasur parasysh se ai ka qenë drejtor i fondacionit “Open Society Foundations” (Shoqëria e Hapur) në Sofje, pjesë e rrjetit global të fondacioneve filantropike të themeluar nga investitori George Soros, të cilin Trump e ka quajtur “armiku absolut”.

Emri i tij u propozua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Trump e pranoi kryesisht për shkak të besimit që gëzon si tek izraelitët ashtu edhe tek palestinezët. Në fakt Mlladenov ka një përvojë të gjatë në politikën e Lindjes së Mesme. Ai ka qenë i dërguar kryesor i OKB-së në Irak (2013-2015), para se Ban Ki-moon ta emëronte përfaqësues kryesor për Lindjen e Mesme.

Gjatë atyre viteve, ai ndihmoi në shuarjen e dhunës ndërkufitare mes Izraelit dhe Hamasit dhe mbështeti idenë e një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit. Në Bullgari, ka qenë ministër i Mbrojtjes për një vit dhe më pas ministër i Jashtëm (2010–2013), gjatë revoltave arabe dhe fillimit të luftës civile në Siri.

Në vitin 2012, ai organizoi në Sofje takimin e parë të opozitës siriane, që mblodhi fraksione të ndryshme kundër regjimit të Asadit. Për përpjekjet e tij për paqe, në shkurt 2021 ai mori “Yllin e Madh të Urdhrit të Jerusalemit”, dhënë nga presidenti palestinez. “Ai na njeh shumë mirë ne dhe izraelitët, çka përbën një avantazh të madh” - tha Ahmed Majdalani, ish-ministër palestinez dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të OLP-së.

Aktualisht Mlladenov jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku drejton Akademinë Diplomatike “Anwar Gargash”.

Ai ka një master në Studimet e Luftës nga King’s College në Londër dhe një master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore në Sofje.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Këshilli që ai drejton duhet të mbikëqyrë gjithçka: qeverinë e re palestineze teknokratike, çarmatosjen e Hamasit, vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie, tërheqje të tjera të trupave izraelite dhe përpjekjet e rindërtimit.

Çështja e çarmatosjes së Hamasit mbetet pengesa më e madhe. Grupi nuk ka sqaruar ende nëse dhe si do të çarmatoset. Gara për udhëheqjen e Hamasit jashtë Gazës po zhvillohet midis Kalil Al-Haja, që e kundërshton çarmatosjen, dhe Kaled Mashal, më i hapur ndaj kompromisit me Izraelin.

Ndërkohë, udhëheqësi aktual në Gaza, Ezedin Al-Hadad, mban një qëndrim të ashpër kundër çarmatosjes. Sipas Wall Street Journal, Izraeli është shumë skeptik dhe po përgatit plane për një ofensivë të re ushtarake në mars. Një paqartësi tjetër lidhet me përbërjen e “Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit” (ISF), e ngarkuar të ruajë rendin në Gaza, pasi Hamas të dorëzojë pushtetin.

Indonezia dhe Maroku janë zotuar të kontribuojnë me trupa, por administrata Trump nuk e ka njoftuar ende madhësinë e kësaj force. Shumë vende që po diskutojnë mbi përfshirjen kanë theksuar se nuk duan që trupave të tyre t’u kërkojnë të çarmatosin me forcë Hamasin.

Janë këto rreziqet dhe rezistencat me të cilat do të duhet të përballet bullgari Mlladenov, në një situatë ku popullsia civile, e goditur nga moti i keq dhe pasojat e luftës, vazhdon të paguajë çmimin më të lartë. Orët e fundit, erërat e forta të dimrit kanë rrënuar qindra tenda dhe strehimore të improvizuara, duke vrarë të paktën 4 persona, përfshirë një vajzë të vogël.

Autoritetet shëndetësore të Gazës thanë të martën se një fëmijë njëvjeçar vdiq nga hipotermia gjatë natës, ndërsa një zëdhënës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët deklaroi se mbi 100 fëmijë dhe adoleshentë janë vrarë me “mjete ushtarake” që nga fillimi i armëpushimit./ Marrë nga “Huffington Post Italia”, përshtati “Pamfleti”

 

trump bullgari mlladenov gaza

Lini një Përgjigje