TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Dhjetor 2025, 07:47

Turqia teston sërish raketën balistike “Tayfun”, Ankaraja mesazh 'rivalëve' (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Turqia teston sërish raketën balistike “Tayfun”, Ankaraja

Turqia ka zhvilluar një tjetër test të raketës balistike “Tayfun”, duke dhënë sinjale të qarta për vazhdimin e zhvillimeve të saj ushtarake dhe teknologjike në sektorin e mbrojtjes. Sipas raportimeve të mediave turke, raketa është lëshuar me sukses dhe ka goditur objektivin me “saktësi të plotë”.

Ky është testimi i radhës pas atij të kryer në fund të muajit tetor, në kuadër të zhvillimeve që lidhen me vendosjen në përdorim të sistemit “Tayfun”, i cili ndodhet aktualisht në prodhim në masë dhe shpërndarje për përdorim ushtarak.

Agjencia shtetërore turke Anadolu raporton se testet e raketës po zhvillohen në disa variante dhe se “Tayfun” mban rekordin si raketa me rrezen më të madhe të veprimit që është prodhuar ndonjëherë brenda Turqisë.

Ministri turk i Mbrojtjes, Haluk Gorgun, deklaroi se “Tayfun” ka tejkaluar një tjetër kufi, duke zgjeruar sipas tij “horizontin e sigurisë kombëtare dhe fuqizuar kapacitetin parandalues të vendit”. Ai shtoi se Turqia po shton vazhdimisht sisteme të reja në arsenalin e saj mbrojtës përmes zgjidhjeve vendore dhe shumëplanëshe.

Në një deklaratë simbolike në rrjetet sociale turke, Gorgun e përshkroi këtë arritje jo vetëm si sukses teknik, por si “kulmin e krenarisë kombëtare” që pasqyron punën e inxhinierëve, përkushtimin e rinisë dhe vendosmërinë e popullit turk.

Raketa “Tayfun” është parë si një pjesë kyçe e strategjisë së re të Ankarasë për vetë-mjaftueshmëri ushtarake dhe për të rritur ndikimin rajonal, duke sjellë edhe shqetësime të shtuar në Greqi, Qipro dhe vende të tjera të NATO-s që e shohin me rezervë rritjen e kapaciteteve luftarake turke.

Lini një Përgjigje