TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Shkurt 2026, 10:37

U arrestua për lidhje me Epstein, lirohet me kusht ish-ambasadori britanik Peter Mandelson

Shkruar nga Pamfleti
U arrestua për lidhje me Epstein, lirohet me kusht ish-ambasadori britanik
Peter Mandelson

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara është lënë i lirë me kusht pasi u arrestua të hënën nën dyshimin për shpërdorim detyre.

72-vjeçari, Peter Mandelson, u lirua në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa autoritetet britanike vijojnë verifikimet lidhur me çështjen. Ai u prangos pas publikimit të dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, të lidhura me financierin dhe të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.

Ky është arrestimi i dytë në Mbretërinë e Bashkuar që lidhet me hetimet për marrëdhëniet e zyrtarëve të lartë me financierin amerikan Jeffrey Epstein. Javën e kaluar, edhe Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur si ish-Princi Andrew, u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës publike dhe më pas u lirua pas marrjes në pyetje.

Sipas autoriteteve, si Mandelson ashtu edhe Andrew dyshohen se kanë ndarë në mënyrë të papërshtatshme informacione të qeverisë britanike me Epsteinin.

Policia po heton pretendimet se Mandelson i ka kaluar Epsteinit informacione qeveritare rreth 15 vite më parë. Deri në këtë fazë, ai nuk përballet me akuza për sjellje të pahijshme seksuale.

Arrestimet konsiderohen si reagimi më i fortë i autoriteteve britanike pas publikimit të mbi 3 milionë faqeve dokumente të lidhura me çështjen Epstein. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera nuk janë raportuar arrestime, megjithëse disa shtete kanë nisur hetime ose kanë ngritur akuza ndaj zyrtarëve që dyshohet se kanë pasur lidhje me financierin.

Mandelson ka mbajtur poste të larta në qeveritë e mëparshme të Partisë Laburiste dhe shërbeu si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington deri në shtator, kur Kryeministri Keir Starmer e shkarkoi nga detyra. Vendimi erdhi pas publikimit të email-eve që tregonin se ai kishte ruajtur një marrëdhënie miqësore me Epsteinin edhe pas dënimit të këtij të fundit në vitin 2008 për vepra penale seksuale që përfshinin një të mitur.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të tjera mbi ecurinë e çështjes.

Lini një Përgjigje