Bota18 Maj 2024, 13:57

U bë i pasur me refugjatët, kush është milioneri britanik që menaxhon azilkërkuesit?

Shkruar nga Hugo Daniel
U bë i pasur me refugjatët, kush është milioneri britanik
Graham King /

Graham King, ‘mbreti’ i hoteleve të emigrantëve...

Ligatinat e Ishullit Anvey shtrihen buzë të grykëderdhjes së Thames, 30 milje në lindje të Londrës. Pikërisht këtu, midis fushave të krijuara nga aluvionet, Jack King, një shitës i barakave prej druri nga Romford, e zhvendosi familjen e tij të re në fillim të viteve 1960. Sipërmarrësi dhe një tifoz i thekur i futbollit, bleu një park pushimesh të falimentuar nga këshilli bashkiak i zonës, dhe e shndërroi atë në një biznes të suksesshëm të shtëpive të lëvizshme, Kings Park, të cilin e shiti për 32 milionë paund në vitin 2007. Ajo hodhi themelet për pasurinë e familjes.

Djali i tij Graham, ishte i vendosur të ndiqte gjurmët e babait të tij. Ai kaloi vite duke punuar për Jack - që zotëronte edhe një kompani të shërbimit taksi, një dyqan makinash, si dhe klube nate - përpara se të dilte më vete. Në vitin 1999 Graham themeloi kompaninë e pronave të paluajtshme “Clearsprings”.

Që nga ajo kohë, “Clearsprings” ka fituar një sërë kontratash të majme qeveritare për të ofruar strehim afatshkurtër, kryesisht për azilkërkuesit. Një numër në rritje refugjatësh - shumica nga Afganistani, Siria dhe Iraku, disa të dëshpëruar dhe të ngjeshur nëpër varka të vogla - i dyfishuan fitimet e firmës në 62.5 milionë paund në janar të vitit 2023.

Aq i madh është suksesi i biznesit të tij - në të cilin ai ka 97 për qind e aksioneve - saqë sot Graham, 57 vjeç, përfshihet për herë të parë në listën e më të pasurve të “The Sunday Times”, me një pasuri të vlerësuar prej 750 milionë paund. Mediat dinë pak për Graham, që e drejton “Clearsprings” nga një ndërtesë zyre blu pranë Southend-on-Sea.

Pak pjesëtarë të familjes King mbeten ende në ishullin Canvey. Nëna e tij vdiq që në vitet 1970 ndërsa i ati Jack në 2016-ën. Nga katër vëllezërit e motrat e Graham, një vëlla, Dennis, vdiq në vitet 1980. Tjetri, Jeff, jeton në Monako dhe një motër, Susan, jeton në Mallorca. Vetëm motra e tij Linda, parukiere në prefesion, jeton ende atje.

King mund të jenë larguar kryesisht nga Canvey - motoja e të cilit është ‘Ex mare dei gratia’, që do të thotë “Nga deti me hirin e Zotit” - por ata janë larg të qenit të harruar. Për një farë kohë, familja ndihmoi për të financuar “epokën e artë” të ekipit Canvey Island FC midis viteve 1992-2006, kur Jeff ishte menaxher i ekipit lokal të futbollit.

Në vitin 2002, ata arritën në raundin e tretë të FA Cup, duke u mposhtur në fund nga Burnley. Një vendpushim bregdetar shumë në modë gjatë epokës viktoriane, sot Canvey është një komunitet i bukur, por shumë i izoluar. John Pring, një agjent pronash që ka punuar për familjen, thotë se King janë dhe kanë qenë një familje e rëndësishme në Canvey.

Në fund të viteve 1990, Jack e ftoi Pring të udhëtonte bashkë më të me avionin privat të familjes për një drekë në Bruksel. Me ta ishte edhe Graham, asokohe në fillim të të tridhjetave.

“Zbritëm në aeroport, hipëm në një taksi, shkuam në restorant dhe pimë shampanjë. Më pas babë e bir i kërkuan atij t’i ndihmonte në hartimin e një plani biznesi. Graham kishte dëgjuar për një pronar hoteli që ia jepte me qira qeverisë dhomat e tij për të strehuar azilkërkuesit.

Jack erdhi tek unë dhe më tha: “Qeveria po u kërkon njerëzve të garojnë në këtë tender. Graham mendon se është një mundësi e mirë fitimi. Ideja ishte të blije një pronë, t’ia jepje me qira qeverisë dhe ta menaxhoje në emër të tyre”- kujton Pring.

Por suksesi financiar i Graham nuk erdhi pa debate. Në vitin 2019, “Clearsprings” fitoi nga qeveria tendera me vlerë 996 milionë funte për të ofruar strehim të përkohshëm për azilkërkuesit në Uells dhe në jug të Anglisë deri në vitin 2029.

U bë i pasur me refugjatët, kush është milioneri britanik
Graham King

Në vitin 2021, inspektorët i përshkruan “si të rrënuara” 2 nga qendrat e saj - Napier Barracks në Kent dhe Penally Camp në Pembrokeshire. Rreth një e treta e banorëve të konsultuar thanë se azilantët kishin probleme të shëndetit mendor.

Ndërkohë vitin e kaluar më shumë se 70 njerëz, përfshirë fëmijë, fjetën në rrugë në shenjë proteste ndaj 2 hoteleve të menaxhuara nga kompania “Clearsprings në Londër”. Ata ankoheshin se ishin grumbulluar në dhoma të vogla pa shtretër të mjaftueshëm. Ndërkohë një raport nga “Open Democracy” vitin e kaluar zbuloi se 2/3 e 1400 ankesave për akomodimin në hotele të bëra nga organizata bamirëse “Migrant Help” ishin për pronat e menaxhuara nga “Clearsprings”.

Që atëherë kompania është akuzuar për 39 shkelje të Aktit të Strehimit të vitit 2004, dhe ndaj saj pati edhe padi penale të ngritur nga Këshilli i Borough Swindon, për të cilin është deklaruar e pafajshme. Nga tetori 2023, qeveria e ka ulur me 36 për qind numrin e personave që qëndrojnë në “hotele-azil”.

Megjithatë, ajo ende po shpenzon 8.2 milionë funte në ditë për menaxhuar e drejtuar nga “Clearsprings” dhe kompani të tjera. Gati të gjitha të ardhurat prej 1.3 miliardë paund të “Clearsprings” në 2022 - më shumë se 3.5 milionë paund në ditë - buruan nga dy kontratat dhjetëvjeçare me Home Office për të ardhurit e rinj në vend.

Pas themelimit të “Clearsprings”, partneri fillestar i biznesit të Graham, Michael Bilkus, e paditi në Gjykatën e Lartë për një marrëveshje verbale në lidhje me pronësinë dhe kontrollin e ardhshëm të kompanisë. Beteja ligjore përfundoi në vitin 2003, kur Bilkus pranoi t’i shiste aksionet e tij (50 përqind) te King pasi të vlerësohej në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë Pring, njeriu që thotë se shkroi planin e parë të biznesit, ka një keqardhje të vazhdueshme mbi mënyrën se si doli partneriteti i tij me familjen King. Ai thotë se hyri në një biznes të veçantë me Grahamin dhe Jeff-in kur në vitin 2000 secili pagoi nga 1 milionë paund për Thorney Bay, një tjetër park i zonës për shtëpitë e lëvizshme.

Ai shton se nuk arriti të lidhte një marrëveshje aksionerësh, pra investoi gjithçka që kishte në një kompani nga e cila nuk mundi të merrte dot një rrogë. Ai i pyeti aksionerët e King nëse mund t'i paguanin një rrogë për drejtimin e projektit, por ata nuk pranuan dhe për shkak se kishte marrë borxhe personale dhe kishte nevojë për para, ai lejoi që ata ta blinin.

Ai e pranon naivitetin: “Është një temë e dhimbshme. Nuk e mbrojta veten. “Fajësoj veten dhe askënd tjetër. Prandaj punoj ende edhe pse jam 78 vjeç”. Ai do të donte që të mund të kishte mbetur aksioner me 50 për qind, pasi King e shitën kohët e fundit parkun për “miliona e miliona paund”./Përshtati Pamfleti nga “The Sunday Times”

graham king milioneri britanik mbreti i hotelit 'emigranti'