Vendimi parashikon që prodhuesit dhe tregtuesit e armatimeve të mbajnë në dispozicion deri në 5% të kapaciteteve ose inventarit, ndërsa shoqëria shtetërore deri në 25% të prodhimit vjetor...
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për krijimin e rezervës së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila do të sigurohet nga subjektet e licencuara që operojnë në prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake.
Sipas vendimit, rezerva do të përdoret për të garantuar gatishmërinë e Forcave të Armatosura në rast të shpalljes së gjendjes së luftës, apo në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të agresionit ushtarak ndaj Shqipërisë ose aleatëve të saj strategjikë.
Për subjektet private ose publike të licencuara në prodhimin e armatimeve, sasia e rezervës që mund të vihet në dispozicion nuk duhet të tejkalojë 5% të kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit. Për subjektet që merren me tregtim, kufiri është deri në 5% të inventarit të destinuar për tregtim.
Një regjim i veçantë parashikohet për shoqërinë shtetërore të prodhimit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake. Për këtë strukturë, rezerva do të jetë 25% e kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit, me mundësi ndryshimi me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Aktivizimi i rezervës do të bëhet me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes duhet të njoftojë subjektin e licencuar jo më vonë se 24 orë nga marrja e urdhrit.
Vendimi përcakton gjithashtu se subjektet e licencuara janë të detyruara ta ruajnë rezervën në ambiente të certifikuara sigurie, me kontroll fizik të aksesit, monitorim elektronik 24 orë në ditë dhe kushte teknike që garantojnë funksionalitetin e pajisjeve dhe armëve.
Në rast se rezerva aktivizohet dhe vihet në dispozicion të Forcave të Armatosura, çmimi i blerjes nuk mund të tejkalojë çmimin mesatar të shitjeve të vitit paraardhës tatimor për mallrat përkatëse.
Subjektet e licencuara nuk lejohen të transferojnë, tjetërsojnë apo përdorin për qëllime të tjera sasinë e mbajtur si rezervë. Në rast mospërmbushjeje të detyrimeve, masa e parashikuar është revokimi i licencës.
Zbatimi, monitorimi dhe kontrolli i vendimit i ngarkohet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Vendimi i plotë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
Kreu I
Dispozita të përgjithshme
Neni 1
Objekti
Objekt i këtij vendimi është krijimi i rezervës së armatimeve dhe i pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nga subjektet e licencuara, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë vendim.
Neni 2
Qëllimi
Ky vendim përcakton detyrimet që zbaton subjekti i licencuar për sigurimin e një rezerve armatimesh dhe pajisjesh teknologjike për sigurimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në rastet e gjendjes së luftës ose në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë ose aleatëve të saj strategjikë.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky vendim zbatohet për çdo subjekt të licencuar, që kryen veprimtari në prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake në Republikës së Shqipërisë.
Neni 4
Përkufizime
Për qëllimet e këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Subjekt i licencuar”, çdo person juridik, publik ose privat, që ka marrë licencën e prodhimit dhe tregtimit për të ushtruar veprimtari në fushën e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike.
2. “Rezervë e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike”, sasia e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, që subjektet e licencuara detyrohen ta sigurojnë dhe ta mbajnë në dispozicion për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
3. “Aktivizim i rezervës”, procesi i krijimit dhe vënies në dispozicion të rezervës për Forcat e Armatosura, sipas urdhrit të dhënë nga ministri i Mbrojtjes.
4. “Sasia dhe tipologjia e rezervës”, përcaktimi i numrit, sasisë, llojit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, që subjektet e licencuara janë të detyruara të mbajnë në rezervë.
KREU II
KRIJIMI, SASIA, RUAJTJA DHE PËRDORIMI I REZERVËS
Neni 5
Krijimi dhe sasia e mbajtjes së rezervës
1. Subjekti i licencuar mban një sasi rezervë armatimesh dhe pajisjesh teknologjike nga momenti i aktivizimit të saj, të përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, në përputhje me:
a) kërkesat strategjike të Forcave të Armatosura;
b) kapacitetet teknike dhe logjistike të subjektit.
2. Për subjektin e licencuar, që ushtron veprimtarinë në fushën e prodhimit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, nuk tejkalon 5% të kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit.
3. Për subjektin e licencuar, që ushtron veprimtarinë në fushën e tregtimit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, nuk tejkalon 5% të inventarit të destinuar për tregtim.
4. Krijimi i rezervës për shoqërinë shtetërore, të krijuar në zbatim të nenit 15, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, bëhet me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, është 25% e kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit. Kjo sasi ndryshon me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
5. Në rastet kur sasia e rezervës së aktivizuar vihet në dispozicion të Forcave të Armatosura, çmimi i blerjes nuk tejkalon çmimin mesatar të shitjeve të vitit paraardhës tatimor për mallrat e mbajtura në rezervë.
Neni 6
Kushtet e ruajtjes së rezervës
1. Subjekti i licencuar detyrohet të mbajë rezervën në kushte sigurie të certifikuara, që përfshijnë:
a) ambiente të përshtatshme magazinimi, me kontroll të aksesit fizik;
b) sisteme të sigurisë elektronike dhe të monitorimit 24/7;
c) kushte teknike, që sigurojnë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe armëve në gjendje funksionale;
ç) respektimin e standardeve të sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së mjedisit.
2. Subjekti i licencuar është i detyruar të kryejë mirëmbajtje periodike të pajisjeve të mbajtura rezervë dhe mban dokumentacionin përkatës për çdo veprim të kryer.
Neni 7
Përdorimi i rezervës
1. Sasia dhe tipologjia e rezervës aktivizohet me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe me urdhër të ministrit të Mbrojtjes:
a) në rastin e shpalljes së gjendjes së luftës;
b) në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë, përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi;
c) në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj aleatëve strategjikë të Republikës së Shqipërisë, përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
2. Njoftimi për aktivizimin e rezervës i përcillet menjëherë subjektit të licencuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, por jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga marrja e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes.
3. Në momentin e aktivizimit së rezervës, subjekti i licencuar i jep përparësi krijimit dhe vënies në dispozicion të saj, në një kohë sa më të shkurtër, pavarësisht detyrimeve ndaj të tretëve.
4. Sasia e papërdorur e rezervës së aktivizuar, me përfundimin e gjendjes që e ka krijuar, lirohet nga detyrimi për të qenë në dispozicion të Forcave të Armatosura dhe përdoret lirisht nga subjekti i licencuar.
KREU III
Raportimi dhe verifikimi
Neni 8
Raportimi dhe verifikimi
1. Me aktivizimin e rezervës, subjekti i licencuar njofton menjëherë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për gatishmërinë e saj.
2. Subjekti i licencuar raporton menjëherë dhe jo më vonë se 3 (tri) ditë pune nga momenti i konstatimit çdo ngjarje të jashtëzakonshme, që ndikon në gjendjen, sigurinë ose disponueshmërinë e rezervës, përfshirë rastet e humbjes.
3. Në rast ngjarjesh të jashtëzakonshme, subjekti i licencuar informon Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për gjendjen, disponueshmërinë dhe çdo problematikë të konstatuar lidhur me rezervën e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike.
4. Pas aktivizimit të rezervës, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ushtron verifikime për gjendjen, sigurinë e saj.
5. Subjekti i licencuar lejon kryerjen e verifikimit dhe vë në dispozicion çdo informacion të kërkuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
KREU IV
Detyrimet shtesë dhe sanksionet
Neni 9
Detyrimet shtesë të subjektit të licencuar
Subjektit të licencuar i ndalohet transferimi, tjetërsimi apo përdorimi për qëllime të tjera të sasisë së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike të mbajtura si rezervë për sigurimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 10
Sanksionet
Për mospërmbushje të detyrimeve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi, për subjektin e licencuar aplikohet masa e revokimit të licencës, sipas shkronjës “e”, të pikës 5, nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Neni 11
Dispozita të fundit
1. Ngarkohet Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për monitorimin, mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e zbatimit të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Lini një Përgjigje