Bota25 Maj 2024, 14:05

Uashingtoni dhe Brukseli duhet të punojnë për zbutjen e liderëve rebelë të BE-së

Shkruar nga Giorgio Cafiero

Uashingtoni dhe Brukseli duhet të punojnë për zbutjen e

Fico bëri fushatë vitin e kaluar me premtimin se nuk do t’i japë Kievit “asnjë plumb tjetër”. Shpeshherë i etiketuar si një politikan “pro-Kremlinit”, ai nuk ka ngurruar të kritikojë sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Robert Fico ka qenë prej kohësh një figurë dominuese në Sllovaki. Ai ka qenë kryeministër në vitet 2006-2010, 2012-2018 dhe nga 2023-i e në vazhdim. Por ai ka mërzitur shumë njerëz që besojnë tek uniteti transatlantik. Dhe kjo për shkak të kundërshtimit të tij ndaj armatosjes së Ukrainës nga Perëndimi, vend që ndan një kufi prej 96 km me Sllovakinë.

Duke e përshkruar luftën atje si një “konflikt amerikano-rus”, Fico bëri fushatë vitin e kaluar me premtimin se nuk do t’i japë Kievit “asnjë plumb tjetër”. Shpeshherë i etiketuar si një politikan “pro-Kremlinit”, ai nuk ka ngurruar të kritikojë sanksionet perëndimore ndaj Moskës. Më 15 maj, Fico ishte objektiv i një atentati.

Një person i armatosur e qëlloi 5 herë nga afër në Handlová, një qytet i vogël në Sllovakinë Qendrore. Fico mbijetoi, edhe pse mbetet në gjendje të rëndë. Sulmi shënoi atentatin e parë ndaj një kryeministri evropian në 21 vitet e fundit. Sipas Ministrit të Brendshëm, Matush Šutaj Eštok, autori Juraj Cintula , ishte i motivuar politikisht dhe ndoshta nuk ka vepruar i vetëm.

Atentati ndodhi menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale, të fituara raundin e dytë nga një prej nga aleatëve të Ficos, Peter Pellegrini. Politika në Sllovaki është shumë e polarizuar. Shumë sllovakë e mbështesin Fico-n, por ka edhe shumë të tjerë që e urrejnë.

Po ashtu, ka nga ata që përqafojnë liberalizmin e stilit perëndimor, dhe besojnë se politika e jashtme e Bratislavës duhet të përafrohet ngushtësisht me aleatët e saj perëndimorë në NATO dhe BE, të cilës Sllovakia iu bashkua në vitin 2004. Në skajin më konservator të spektrit politik, shumica e votuesve sllovakë e mbështesin qeverinë e Fico-s si një mbrojtëse e traditave sllovake, për shembull duke hedhur poshtë “ideologjinë gjinore”.

“Çdo grupim, ka jo vetëm vizione të ndryshme mbi të ardhmen e Sllovakisë, por e percepton axhendën e palës tjetër si një kërcënim të drejtpërdrejtë për mënyrën e tij të jetesës dhe vlerat që mbron. Dhe kjo ekzagjerohet dhe përdoret si një mjet për të krijuar kapital politik”- thotë Zuzana Palovic, bashkë-autore e librit “Çekosllovakia: Prapa Perdes së Hekurt”.

Vrasja e gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij në vitin 2018, reagimi i qeverisë ndaj pandemisë së Covid-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, e thelluan polarizimin në Sllovaki. Qeveria e Fico-s kritikon vazhdimisht opozitën se po i shërben rendit liberal perëndimor, ndërsa kundërshtarët e tij e sulmojnë atë se është shumë miqësor ndaj Moskës dhe se ka shtypur liritë e medias.

Shumë njerëz përmendin propagandën ruse si një shtytës të rëndësishëm të polarizimit në këtë vend ish-satelit të Bashkimit Sovjetik, gjë që ndodh edhe në vendet e tjera anëtare të BE-së. Gjatë viteve 2020-2023, një numër aleatësh politikë të Ficos u paditën për korrupsion dhe më pas u dënuan.

“Ndërsa disa nga rastet kishim të meta proceduriale, mbrojtja e Ficos ka qenë gjithmonë se gjithçka është thjesht një ‘gjueti shtrigash’, pra si Trump. Duke dëmtuar punën e policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, ai krijoi një pjesë tjetër të polarizimit”- thotë Andrej Matišák, gazetar i të përditshmes sllovake “Pravda”.

Atentati i ka thelluar tensionet brenda shoqërisë sllovake. Presidentja në largim Zuzana Čaputová ka theksuar nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Por deri më tani, apeli i saj duket se është injoruar nga të dyja kampet e spektrit politik.

“Peizazhi aktual politik, në të cilin politikanët dhe anëtarët e familjeve të tyre po marrin letra kërcënuese është shumë kompleks. Politika sllovake është plot me teori konspirative dhe dezinformata. E gjitha kjo reflektohet në platformat e mediave sociale”- thotë Lívia Benko, studiuese në Institutin Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë.

Pas atentatit, Eštok paralajmëroi se vendi është “në pragun e një lufte civile” për shkak të retorikës në mediat sociale. Por Palovic, thotë se një gjuhë e tillë e ministrit “pasqyron shqetësimet për stabilitetin dhe unitetin e Sllovakisë”. Edhe Matišák mendon se kjo deklaratë ishte e kuptueshme duke pasur parasysh emocionet e mëdha që provokoi ngjarja.

Por sipas tij vetëm qeveria ka mjetet për të nisur luftën civile, dhe në atë rast, as do të ishte një luftë e tillë. “Do të ishte një lloj puçi kundër regjimit demokratik në Sllovaki. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Prandaj fjalët e ministrit i lexova si një përpjekje për të komunikuar me elektoratin e tij për të sugjeruar se para së gjithash ‘pala tjetër’ është përgjegjëse për atë që ndodhi”-shton ai.

“Sjellja e Ministrit të Brendshëm, është njëlloj ajo e ajo e zjarrfikësit që e nisin punën e tyre duke hedhur një bombol gazi mbi zjarr. Është një deklaratë e papërgjegjshme edhe e rrezikshme. Sllovakia nuk është afër asnjë lufte civile. Mjerisht Eštok po flet sikur të jetë një kandidat që kandidon në zgjedhje dhe jo si Ministër i Brendshëm”- shprehet Matej Kandrík,  bashkëthemelues i Institutit Adapt, një institut me bazë në Bratislavë.

Në vitet 1990, kur udhëheqësi autokratik Vladimir Mečiar ishte kryeministri i parë i Sllovakisë së pavarur, ai e drejtonte vendin si një shtet mafioz. Në mesin e viteve 1990, NATO shtyu aplikimin e Sllovakisë për anëtarësim për shkak të problemeve të brendshme, dhe në vitin 1998, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madlein Albright e quajti Sllovakinë një “vrimë të zezë në qendër të Evropës”.

Pra vetëm 6 vjet përpara se t’i bashkohej NATO dhe BE-së. Sot, Uashingtoni është shumë i shqetësuar për të ardhmen e Sllovakisë, e cila ndodhet në vijën ndarëse të një Evrope të përçarë. Teksa Fico dhe Viktor Orbán i Hungarisë po i lidhin gjithnjë e më shumë vendet e tyre me Moskën, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të përpiqen të ndikojnë tek këta “udhëheqës rebelë të BE-së”.

Presioni perëndimor mbi këta anëtarë të NATO-s dhe BE-së miqësorë me Rusinë, mund të dështojë në mënyra që mund ta zbehin më tej unitetin e Perëndimit kundër Moskës. Atentati ndaj Fico-s rrezikon të thellojë tensionet e brendshme të Sllovakisë, por edhe midis Bratislavës dhe Brukselit. Sidomos nëse qeveria e Ficos nxit nisma, të cilat dobësojnë më tej shtetin e së drejtës. Megjithëse pasojat e menjëhershme të tentativës mbi interesat e Uashingtonit janë aktualisht të vështira për t’u vlerësuar, paqëndrueshmëria në Sllovaki mund të ketë pasoja të mëdha për interesat e politikës së jashtme të SHBA-së në këtë pjesë të Evropës, veçanërisht në kontekstin e arkitekturës së sigurisë në zhvillim e sipër./Marrë nga “Responsible Statecraft”, përshtati 'Pamfleti'

Shënim:Giorgio Cafiero, themelues dhe drejtues i “Gulf State Analytics”, një kompani konsulente e rrezikut gjeopolitik me qendër në Uashington.

uashingtoni brukseli lidere rebele be