Bota25 Maj 2024, 13:59

OKB miratoi rezolutën për Srebrenicën, Vuçiç i zhgënjyer: Maqedonia e Veriut më goditi fort!

Shkruar nga Pamfleti

OKB miratoi rezolutën për Srebrenicën, Vuçiç i

Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç thotë se e pati të vështirë të duronte faktin që Maqedonia e Veriut votoi për rezolutën e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. 

Vuçiç ka përmendur abstenimin e Greqisë ndaj Rezolutës, duke thënë se doli që Athina ka më shumë qëndrim sesa Shkupi. Presidenti serb ka deklaruar se qëndrimi maqedonas e ka goditur fort.

“Maqedonia e Veriut më goditi fort. Unë kam investuar më së shumti në marrëdhëniet me vëllezërit tanë maqedonas, por kjo nuk ishte e drejtë. Doli që Greqia ka më shumë shtyllë se Shkupi”, tha Vuçiç.

Më 11 Korrik 1995, forcat serbe hynë në Srebrenicë, e cila ishte nën mbrojtjen speciale të OKB-së dhe më pas vranë më shumë se 8,000 myslimanë.

Si Serbia ashtu edhe Republika Srpska mohojnë se ka ndodhur genocid në Srebrenicë edhe pse është përcaktuar kështu nga dy gjykata të OKB-së.

“Rezoluta nuk do të kontribuojë në forcimin e besimit, por do të hapë plagë të vjetra dhe do të sjellë ndarje të reja në rajon dhe në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiç pas votimit.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën për Srebrenicën me 84 vota pro, ndër të cilat edhe Shqipëria. 19 vende ishin kundër, ndërsa 68 abstenuan.

Data 11 korrik do të jetë ditë kujtese për mbi 8 mijë burra e djem myslimanë të Bosnjë e Hercegovinës që u vranë 3 dekada më parë nga serbët.

vucic okb rezolutën për srebrenicën maqedonia e veriut