
Starmer, Macron, Merz dhe Tusk mbërritën sot në Kiev për bisedime me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, pasi Vladimir Putin i Rusisë priti aleatët e tij në një paradë të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq.
Në takimin e liderëve europianë me Presidentin ukrainas do të diskutohet mbi një propozim të SHBA-së dhe Evropës për një armëpushim 30-ditor në luftën ruse në Ukrainë, i cili nëse refuzohet nga Moska do të sillte vendosjen e përbashkët të sanksioneve të reja, tha një burim diplomatik francez, duke shtuar se ky hap nuk ishte finalizuar ende.
Kjo është hera e parë që kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri polak Donald Tusk udhëtojnë së bashku në Ukrainë.
“Së bashku me SHBA-në, i bëjmë thirrje Rusisë të bjerë dakord për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor për të krijuar hapësirë për bisedime mbi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë katër udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët.
Vizita vjen në një moment diplomatik të paparashikueshëm në luftën më shumë se trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po nxit një paqe të shpejtë pasi hoqi dorë nga politikat e paraardhësit të tij që kur hyri në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Pasi u angazhua drejtpërdrejt me zyrtarët rusë, u përplas publikisht me Zelenskiy-n dhe ndërpreu për një kohë të shkurtër ndihmën ushtarake jetësore për Ukrainën, administrata Trump ka përmirësuar lidhjet me Kievin dhe ka nënshkruar një marrëveshje për burimet minerale të negociuar me vështirësi.
Gjithashtu, ka pasur një ndryshim të dukshëm në ton nga Trump, i cili ka sinjalizuar zhgënjim në rritje me zvarritjen e Putinit për një armëpushim dhe rideklarimin nga Rusia të kërkesave të saj për një zgjidhje.
Trump ka kërcënuar të shtojë sanksionet kundër Rusisë, por ai gjithashtu ka thënë se mund të braktisë përpjekjet për paqe nëse nuk ka përparim. Ai bëri thirrje të enjten për një armëpushim 30-ditor dhe Zelenskiy tha se do të ishte gati ta zbatonte atë menjëherë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u citua të ketë thënë të premten se Rusia mbështet zbatimin e një armëpushimi 30-ditor në konflikt, por vetëm duke marrë në konsideratë "nuancat".
Putin priti Presidentin kinez Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë në një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq të premten për të shënuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, duke dërguar një mesazh sfidues se ai nuk është i izoluar.
Në të njëjtën ditë, ministrat evropianë shprehën mbështetje për një gjykatë të posaçme për të ndjekur penalisht presidentin rus dhe zyrtarët e tij për krime agresioni, duke treguar mbështetje për Zelenskiy-n, i cili të enjten e kritikoi ashpër Putinin për planifikimin e një "parade të tëmthit dhe gënjeshtrave".
Lini një Përgjigje