TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shtator 2025, 20:50

Ukraina, shkëndija e luftës botërore? Putin flet për sakrifica, Trump për katastrofë globale

Shkruar nga Pamfleti

Ukraina, shkëndija e luftës botërore? Putin flet për

Nga veteranët rusë te nafta botërore, dy rrugë drejt një konflikti që rrezikon të përfshijë globin...

Vladimir Putin dhe Donald Trump janë “përplasur” në distancë mbi luftën në Ukrainë dhe të ardhmen e rendit global.

Presidenti rus Vladimir Putin, në një takim me krerët e grupeve parlamentare në Dumën e Shtetit, deklaroi se udhëheqja e ardhshme e Rusisë do të dalë nga veteranët e luftës. Sipas tij, vetëm ata që nuk kanë frikë të sakrifikojnë jetën për atdheun mund të marrin drejtimin e vendit. Putin theksoi se qindra ish-ushtarë tashmë janë zgjedhur në poste vendore dhe se “këta njerëz do të jenë ata që do të na zëvendësojnë”. Në këtë mënyrë ai e paraqiti luftën si një lloj shkolle lidershipi dhe sakrifice për brezat e rinj.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë shtypi me kryeministrin britanik Keir Starmer, përdori një gjuhë të ashpër kundër Moskës dhe shprehu zhgënjimin e tij personal ndaj Putin-it. “Rusia po vret shumë njerëz dhe po humbet edhe më shumë. Forcat ruse po pësojnë humbje më të mëdha se ukrainasit”, deklaroi Trump, duke shtuar se është i detyruar moralisht të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit. Ai kujtoi se po të ishte ende në pushtet, lufta nuk do të kishte nisur kurrë, dhe paralajmëroi se përmasat e saj kanë qenë aq të mëdha sa mund të kishin çuar në një Luftë të Tretë Botërore, gjë që do të ishte një “turp për njerëzimin”.

Trump lidhi gjithashtu zgjidhjen e konfliktit me ekonominë globale, duke theksuar se një rënie e çmimeve të naftës do ta detyronte Putinin të tërhiqej. “Nëse çmimet e naftës bien, ai nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të ndalë luftën”, tha ai.

Në këtë kontrast të qartë, Putin glorifikon sakrificën e jetës për Atdheun si burim legjitimiteti politik, ndërsa Trump llogarit koston e gjakut dhe të ekonomisë botërore. Përplasja e tyre reflekton dy vizione të ndryshme mbi të ardhmen e luftës dhe rendin ndërkombëtar: një Rusi që e ndërton pushtetin mbi mitin e veteranëve dhe një Amerikë që synon ta zgjidhë krizën përmes presionit diplomatik dhe goditjes ekonomike. /Pamfleti

Lini një Përgjigje