
Rënia e mbështetjes perëndimore, rënia e moralit dhe rënia e thellë demografike po e shtyjnë Ukrainën drejt një pike kritike. Shansi i vetëm i qeverisë është një riorganizim i plotë i sistemit të saj politik dhe ushtarak.
Që nga momenti kur Donald Trump deklaroi se “mund ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve”, një pjesë e madhe e botës ka pritur të shohë nëse ai do të ishte në gjendje të detyronte Moskën dhe Kievin të hynin në një marrëveshje. Miliona klikime, pamje dhe feed-e lajmesh janë harxhuar mbi këtë pritshmëri.
Trump e ka ushqyer këtë ide duke insistuar se Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, po mbetej pa opsione dhe se në fund do të duhej të pranonte ofertën e tij. Në realitet, po ndodh e kundërta. Është Trump ai që nuk ka asnjë mjet presioni. Ai mund të kërcënojë Nicolas Maduro-n me veprime të mundshme ushtarake në Venezuelë, por nuk ka asnjë ndikim real mbi Vladimir Putinin. Çdo paketë sanksionesh mjaftueshëm e ashpër për të dëmtuar Rusinë do të godiste njëkohësisht edhe ekonominë perëndimore, dhe asnjë lider perëndimor nuk është i gatshëm të presë degën ku po ulet vetë.
Ndërhyrja e armatosur është edhe më e pamundur. Që në ditët e para të pushtimit të plotë, NATO vendosi të mbështesë Ukrainën me armatime dhe trajnim, por duke shmangur çdo hap që mund të sillte një konflikt të drejtpërdrejtë NATO–Rusi. Kjo linjë nuk ka ndryshuar.
Si rezultat, Ukraina është lënë në një situatë ku, me ose pa mbështetje të mjaftueshme nga aleatët, në praktikë po lufton e vetme kundër Rusisë. Çdo diskutim për paqe apo armëpushim është shndërruar në mashtrim diplomatik, një metodë e Putinit për të fituar kohë e për t’u rigrupuar. Strategjia e Kremlinit bazohet tek konsumimi jo vetëm i ushtrisë ukrainase, por edhe i durimit dhe unitetit politik të aleatëve të saj.
SHBA-ja ka qarkulluar tani një version të butësuar të planit të saj të paqes, pas konsultimeve me Kievin dhe disa qeveri evropiane. Megjithatë, Kremlini vazhdon të kërkojë koncensione të mëdha territoriale dhe tërheqjen e trupave ukrainase. Pa këtë, Rusia nuk pranon të ndalë ofensivën. Ukraina, nga ana e saj, deklaron se nuk dorëzon territor.
Ndërkohë që ra poshtë çdo shpresë për përparim diplomatik, SHBA pothuajse ndërpreu furnizimet me armë për Ukrainën. Zyrtarët fajësuan mbylljen e qeverisë federale, por arsyeja reale nuk lidhej me mungesë kapacitetesh logjistike në Pentagon. Sidoqoftë, ndihma ushtarake amerikane ka rënë në minimum, e kufizuar kryesisht në furnizimet e miratuara gjatë administratës Biden. Në seancën e konfirmimit, Sekretari i ri i Mbrojtjes, Austin Dahmer, deklaroi: “Nuk jam në dijeni për ndonjë pauzë në ndihmën për Ukrainën”. Kjo tingëllonte më shumë si mosnjohje e realitetit sesa si vlerësim serioz. Çdo ushtar ukrainas e ndien mungesën e armëve amerikane. Çdo banor i Kievit e ndien mungesën e sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Evropa nuk e ka mbushur boshllëkun. Industria mbrojtëse e BE-së ka prodhuar më shumë premtime sesa fonde reale. Disa miliardë euro janë angazhuar në letër, por shumë pak janë dorëzuar.
Kjo e detyron Ukrainën të zgjerojë prodhimin e vet ushtarak dhe të luftojë me çfarëdo që arrin, përveç atyre që vidhen nga figura të korruptuara si Tymur Mindich, aktualisht nën hetim. Për momentin, Ukraina mund ta ngadalësojë armikun me kosto shumë të lartë, por kjo nuk mjafton për të fituar.
Ushtria është e nënfurnizuar. Qeveria nuk ka arritur të ruajë motivimin apo të rigjallërojë mobilizimin; madje ka krijuar efekt të kundërt. Burrat po luftojnë vitin e katërt, ndërsa familjet nuk mund të presin pafundësisht. Numri i divorceve po rritet, lodhja po thellohet dhe morali po bie. Prokurorët kanë hapur mbi 255 mijë raste të mungesës pa leje dhe më shumë se 56 mijë raste dezertime që prej vitit 2022. Vetëm në 10 muajt e parë të 2025-s, u regjistruan rreth 162,500 raste mungese dhe 21,600 dezertime. Raporte të tjera tregojnë se mbi 21 mijë ushtarë lanë ushtrinë në tetor – shifra më e lartë mujore deri tani. Ndërkohë, pabarazia sociale po thellohet.
Edhe pamja demografike është alarmante. Popullsia e Ukrainës ka rënë nga mbi 50 milionë në rreth 31 milionë në territorin e kontrolluar nga Kievi në fillim të vitit 2025. Lindjet janë më të pakta se vdekjet dhe norma e fertilitetit ka zbritur në rreth një fëmijë për grua.
Në këtë panoramë, Ukraina përballet me tre opsione strategjike:
1. Të pranojë kushtet e Putinit.
Kjo do të nënkuptonte kapitullim, humbje territoriale dhe goditje politike, por do të garantonte mbijetesën e shtetit ukrainas – megjithëse në një pozicion të dobët afatgjatë.
2. Të ndërmarrë një reformë radikale të udhëheqjes politike dhe ushtarake.
Rindërtim të mobilizimit, ristrukturim të sistemit komandues dhe rigjenerim total të përpjekjes së luftës. Ukraina nuk mund të luftojë një luftë të gjatë me institucione të dizajnuara për paqe.
3. Të vazhdojë status quo-në.
Të lançojë goditje të sakta ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë dhe të shpresojë për konsumim të ekonomisë së Kremlinit apo për vdekjen e Putinit. Kjo është iluzion. Nëse këto sulme nuk e thyen një Ukrainë më të vogël, nuk do të thyejnë një shtet shumëfish më të madh.
Nga deklaratat e Zelenskyy-t dhe disa partnerëve evropianë, duket se Ukraina i është përkushtuar faktikisht opsionit të tretë. Pyetja është sa kohë mund të zgjasë kjo strategji. Edhe pa përmendur moralin e rënë dhe lodhjen e katër viteve luftë, panoramën financiare e errëson një deficit i madh buxhetor dhe një borxh publik që pritet të kalojë 100% të PBB-së. BE nuk ka siguruar fondet e nevojshme, asetet e ngrira ruse në Belgjikë nuk janë liruar dhe rritja ekonomike në kontinent është e dobët. Çdo rritje e ndjeshme e ndihmës kërkon kurajo politike në një kohë kur votuesit janë ende të ndjeshëm ndaj inflacionit të fundit. Po ashtu, BE nuk mund ta detyrojë SHBA-në të marrë angazhime afatgjata, sidomos në klimën aktuale politike në Washington.
Nëse Ukraina synon të mbijetojë si shtet, ajo do të duhet më herët a më vonë të ndjekë opsionin e dytë – një transformim të thellë të udhëheqjes politike dhe ushtarake. Kur të vijë ai moment, kushtet e Moskës do të jenë më të ashpra se sot. Ultimatumi rus ka gjasa të zgjerohet nga katër rajone në tetë, të shoqëruara me kushte të forta kontrolli, demilitarizim dhe koncesione të reja.
Ndryshimi radikal duhet të nisë tani, përpara se opsionet strategjike të ngushtohen më tej dhe përpara se aftësia e Ukrainës për t’i rezistuar të shembet bashkë me to. /Përshtati “Pamfleti” nga “Al Jazeera”
Lini një Përgjigje