
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka dënuar kërcënimet që Moska ka bërë kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) pas lëshimit të një urdhër-arresti për krime lufte për presidentin rus Vladimir Putin.
“Bashkimi Evropian dënon kërcënimin e paligjshëm nga një përfaqësues i rangut të lartë rus për të përdorur forcën kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) dhe vendit pritës të saj, Holandës,” tha Josep Borrell.
Borrell riafirmoi mbështetjen e plotë dhe pa kushte për GJPN-në.
“Ai dënon gjithashtu masat e shpallura nga Rusia kundër Prokurorit të GJNP-së dhe gjyqtarëve të përfshirë në lëshimin e urdhër-arresteve kundër përfaqësuesve ruse. Çdo masë hakmarrëse ndaj atyre që janë të përfshirë në punën e ICC-së është e papranueshme ”, shtoi Borrell.
Theksoi se GJNP duhet të jetë në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme në udhëheqjen e luftës kundër mosndëshkimit.
“BE mbetet e angazhuar për të mbrojtur gjykatën nga çdo ndërhyrje e jashtme që synon të pengojë rrjedhën e drejtësisë dhe të minojë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë penale,” tha ai.
ICC shprehu shqetësim të mërkurën pas një kërcënimi për lëshimin e raketave hipersonike në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë nga Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
“Është mjaft e mundur të imagjinohet që një raketë hipersonike të lëshohet nga Deti i Veriut nga një anije ruse në gjykatën e Hagës. Shikoni me kujdes qiellin”, shtoi Medvedev.
Lini një Përgjigje