TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Korrik 2025, 21:35

Ursula i puthi pantoflat Trumpit dhe firmosi dorëzimin e BE-së!

Shkruar nga Pamfleti

Ursula i puthi pantoflat Trumpit dhe firmosi dorëzimin e BE-së!

Evropa e përkulur, marrëveshja e Turnberry që shkatërron mitin e autonomisë europiane

Ursula von der Leyen (drejtuar Donald Trump): “Nuk është e mundur të bëhet diçka më e mirë se 15%?”

Trump: “Në kuptimin më pak?”

Von der Leyen: “Po.”

Trump: “Jo, nuk është e mundur.”

Nuk do të kishte nevojë të thuhej më shumë për të komentuar thelbin politik të marrëveshjes mbi taksat doganore të firmosur dje në klubin privat të golfit të Donald Trump në Turnberry të Skocisë, një zgjedhje vendndodhjeje që është simbolike në vetvete, midis presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të SHBA-së. Dhe është e tepërt të citojmë edhe titujt e mediave prestigjioze si Financial Times (“Evropa u dorëzua”) apo Politico (“Trump mori atë që donte”). Më interesante është deklarata e pabesueshme që vetë Von der Leyen shpërndau menjëherë pas firmës:

Marrëveshja e sotme krijon siguri në kohë të pasigurta. Ofron stabilitet dhe parashikueshmëri, për qytetarët dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut. Është një marrëveshje mes dy ekonomive më të mëdha botërore. Shkëmbimi ynë tregtar është 1,7 trilionë dollarë në vit. Së bashku jemi një treg me 800 milionë banorë dhe përfaqësojmë 44% të PBB-së globale. Vetëm pak javë nga samiti i NATO-s, ky është një element thelbësor që riafirmon partneritetin transatlantik”.

Po të mos përplasej ndonjëherë me realitetin, politika do të ishte vërtet një mbretëri e mrekullueshme. Por, siç thoshte Kissinger në kohën e luftës së Vietnamit: “Kur je në baltë, thuaj që ke fituar dhe ik”. Dhe kështu po bën Ursula jonë, pas puthjes së “pantoflës” amerikane.

Çfarë parashikon marrëveshja?

Për Evropën: tarifa doganore 15% (nga mesatarja e mëparshme 3%), por për metalet industriale, çelik dhe alumin, tarifa mbetet ajo e vjetër, 50%, çka ka irrituar industrialistët gjermanë. Për më tepër, BE-ja zotohet të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA, të blejë energji amerikane (kryesisht gaz natyror të lëngshëm) me vlerë 750 miliardë dollarë në tre vjet (250 miliardë çdo vit) dhe të blejë armë amerikane për qindra miliarda dollarë (shifër ende e pacaktuar).

Sektorë të caktuar, si automotiv-i europian, dalin fitues, duke përfituar ulje të tarifave të eksportit drejt SHBA-së. Një pjesë e agro-ushqimit feston, ndërsa tjetra (p.sh., vera) humbet. Industria farmaceutike dhe ajo e çipave janë në pritje, pasi Trump ka paralajmëruar se nga gushti do të vendosë tarifa shtesë progresive.

Në thelb: nënshtrim politik

Ajo që bie në sy është përkulja politike e plotë e Bashkimit Europian ndaj SHBA-së. Një marrëveshje e mirëfilltë bëhet pas diskutimesh, por këtu nuk pati fare debat: Trump shpalli, Von der Leyen pranoi. Ajo shkruan se “krijohet siguri në kohë të pasigurta”, por në fakt krijohet vetëm një siguri e re: varësia totale e Evropës nga SHBA-ja.

Edhe marrëveshja e NATO-s, të cilën ajo e quajti “një tjetër mrekulli”, vendos detyrimin minimal 5% të PBB-së për mbrojtjen, ku 48% e buxhetit të armatimeve shkon tashmë për blerje armësh amerikane, një përqindje që vetëm do të rritet. Dhe me marrëveshjen e Turnberry-t, BE-ja zotohet të blejë më shumë armë nga SHBA. Kjo bën që industria amerikane të qeshë me të madhe, ndërkohë që miti i “ReArm Europe”, autonomia mbrojtëse e Evropës, rrëzohet.

Kujtojmë edhe mesazhin famëkeq të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dërguar Trumpit: “Evropa do të paguajë, dhe do të paguajë shtrenjtë”. Dhe ja ku jemi: kjo po ndodh realisht.

Rezultati: një Evropë e nënshtruar

Për dekada, SHBA ka punuar për ta shkëputur Evropën nga Rusia, veçanërisht nga burimet e saj energjetike, dhe ia doli. Lufta në Ukrainë i dha mundësinë perfekte: Evropa u shndërrua në një eunuk politik dhe një “pulë e artë” për interesat amerikane. Në vend që të ndalonin luftën shpejt, liderët europianë, me Von der Leyen në krye, u futën në retorikën e “fitores në fushë kundër Moskës”, pa kuptuar se për SHBA ishte vetëm një konflikt i radhës, ndërsa për Evropën ishte çështje jetë a vdekje. Sot kemi një Ukrainë gjysmë të shkatërruar, një ekonomi europiane në krizë, dhe një Shtëpi të Bardhë që e trajton BE-në si vasal të vetin.

Pyetja e madhe që mbetet: A do t’i mbijetojë Bashkimi Europian kësaj periudhe të dytë presidenciale të Donald Trump? /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje