Bota15 Nëntor 2023, 08:00

Izraeli rrethon me tanke dhe ushtarë spitalin kryesor të Gazës, Hamasi kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve

Shkruar nga Pamfleti
Izraeli rrethon me tanke dhe ushtarë spitalin kryesor të Gazës,
Spitali Al Shifa në Gaza

Forcat izraelite kanë thënë se ushtria e tyre po kryen një operacion kundër Hamasit në spitalin Al-Shifa në Gaza.

Një dëshmitar okular brenda spitalit tha për BBC News se panë tanke dhe ushtarë komando që hynë në departamentin kryesor të urgjencës.

Zyra e shypit e qeverisë së Hamasit, në një deklaratë, e ka quajtur sulmin e Izraelit në spitalin kryesor të Gazës, një krim lufte, moral dhe kundër njerëzimit, teksa shtoi se 9,000 pacientë, staf mjekësor dhe civilë ishin në spital kur bastisja ndodhi gjatë natës.

Udhëheqësi i Hamasit, Izzat al-Rishq, në një postim në rrjetin social “X”, tha se Izraeli sulmoi një objekt civil, jo një instalim ushtarak. Hamasi, përmes një deklarate tha se mbante përgjegjës Uashingtonin dhe Presidentin e SHBA, Joe Biden për bastisjen e spitalit.

Izraeli ashtu edhe SHBA-ja pretendojnë se Hamasi ka një bazë komanduese nën spitalin Al-Shifa, gjë që Hamasi e mohon. SHBA tha se ka inteligjencë që mbështet pretendimin e Izraelit se Hamasi ka një qendër komanduese nën Al-Shifa. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë thotë se pacientët duhet të mbrohen.

“Ne nuk duam të shohim një përplasje zjarri në një spital.”

Më parë, një mjek në spitalin Al-Shifa të mbetur pa energji elektrike dhe me mungesë karburanti, tha se 200 pacientë ishin varrosur atje në një varr masiv.

Dje SHBA ka deklaruar se kanë informacione nga inteligjenca se pretendimet e Izraelit për spitalin Al-Shifa janë të vërteta.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, deklaroi se Hamasi ka një qendër komandimi nën spitalin kryesor në qytetin e Gazës.

Kirby u tha gazetarëve se sipas informacioneve të siguruara, Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez përdorin disa spitale në Rripin e Gazës, duke përfshirë Al-Shifa, dhe tunele poshtë tyre për të fshehur dhe mbështetur operacionet e tyre ushtarake dhe për të mbajtur pengje.Ai tha se grupet kanë ruajtur armë nën Al-Shifa dhe janë të përgatitur për t'iu përgjigjur një operacioni ushtarak izraelit kundër atij objekti.

Kirby shtoi: "Ne nuk mbështesim goditjen e një spitali nga ajri dhe nuk duam të shohim përplasje zjarri në spital ku njerëz të pafajshëm, njerëz të pafuqishëm, njerëz të sëmurë thjesht po përpiqen të marrin kujdesin mjekësor...Spitalet dhe pacientët duhet të mbrohen."

Sipas SHBA, kjo tregon se sa sfidues është operacioni ushtarak.

"Hamasi është ngulitur thellë brenda popullatës civile. Izraeli tani ka një barrë të shtuar duke pasur parasysh mënyrën se si vepron Hamasi".

Së fundi, Kirby theksoi se veprimet e Hamasit "nuk pakësojnë përgjegjësitë e Izraelit për të mbrojtur civilët në Gaza" - dhe deklaroi se SHBA po e diskuton në vijim me qeverinë izraelite çështjen. 

Izraeli filloi sulmet në Gaza pas sulmeve të Hamasit të 7 Tetorit, në të cilat 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 11,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga ajo kohë, nga të cilët më shumë se 4,500 ishin fëmijë.

gaza hamas izrael palestinë idf spital