Shpërthime të forta tronditën sërish Teheranin mëngjesin e sotëm, duke rritur pasigurinë mes banorëve që nuk dinë nëse duhet të largohen nga qyteti apo të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Tasnim, disa shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin iranian gjatë orëve të para të ditës.
Një banor i Teheranit, i cili foli për CNN në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes, tha se sulmet duket se po godasin zona të ndryshme të qytetit.
“Bombardimet janë kudo, në veri, në jug, në lindje dhe në perëndim. Duket sikur gjithçka është në shënjestër”, u shpreh ai.
Burri tregoi se disa netë më parë ishte larguar nga Teherani së bashku me bashkëshorten e tij, e cila është mjeke, për shkak të pasigurisë së krijuar nga sulmet e vazhdueshme. Sipas tij, jeta në qytet është bërë e paparashikueshme. “Nuk e di kurrë se çfarë ose kush është objektivi i radhës", tha ai.
Më herët, një antenë televizive dhe radioje pranë shtëpisë së tyre ishte goditur, duke tronditur gjithë lagjen.
Aktualisht çifti është vendosur në një qytet të vogël pranë Damavand, majës më të lartë të Iranit. Edhe atje, sipas tij, netët shoqërohen nga zhurma e avionëve luftarakë, megjithëse deri tani nuk ka pasur shpërthime në atë zonë.
Ai shtoi se shumë miq dhe familjarë të tyre vazhdojnë të qëndrojnë në Teheran, pasi shumë banorë besojnë se çdo vend mund të bëhet shënjestër. Sipas tij, largimi drejt jugut krijon frikë për shkak të pranisë së forcave të huaja pranë kufijve, ndërsa rrugët drejt veriut rrezikojnë të bllokohen nga trafiku i madh në autostradën Chalus.
“Shumë njerëz mendojnë se është më mirë të qëndrosh aty ku je", tha ai.
Lini një Përgjigje