Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani janë pranë arritjes së një marrëveshjeje që mund të mos pritet mirë nga Izraeli, por që sipas tij është në interesin strategjik të SHBA-së.
Në një intervistë për Fox News, Vance theksoi se, megjithëse SHBA-ja dhe Izraeli ndajnë shumë interesa të përbashkëta, ka raste kur prioritetet e tyre nuk përkojnë plotësisht.
"Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë interesa të përbashkëta, por ka edhe situata ku interesat tona ndryshojnë. Mendoj se presidenti ka qenë shumë i qartë se, ndërsa Izraeli padyshim ka disa objektiva, objektivi kryesor i SHBA-së në Iran është të sigurojë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore", tha ai.
Vance nënvizoi gjithashtu se zhvillimet e muajve të fundit kanë krijuar kushtet për një zgjidhje të qëndrueshme lidhur me programin bërthamor iranian.
"Gjatë një viti e gjysmë të fundit, ne kemi krijuar hapësirën e nevojshme që presidenti të besojë dhe mendoj se ai ka të drejtë se ne mund të arrijmë një zgjidhje afatgjatë për çështjen bërthamore iraniane", tha Vance.
Në përfundim, zëvendëspresidenti amerikan ritheksoi se çdo marrëveshje do të vlerësohet mbi bazën e interesave të SHBA-së, pavarësisht reagimeve që mund të shkaktojë te aleatët.
“Izraelit mund t'i pëlqejë ose jo. Por në thelb, ne besojmë se kjo është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", përfundoi ai.
Lini një Përgjigje