TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Shkurt 2026, 21:54

Vdekja e aktivistit 23-vjeçar thellon tensionet politike në Francë

Shkruar nga Pamfleti
Vdekja e aktivistit 23-vjeçar thellon tensionet politike në
Vdekja e Quentin Deranque, 23 vjeç, ka ndezur përçarje politike në Francë

Policia franceze ka nisur një hetim për vrasje pasi një aktivist i ekstremit të djathtë ndërroi jetë në spital, pasi u dhunua rëndë në një sulm që ka rritur tensionet politike në Francë.

Quentin Deranque, 23 vjeç, student i matematikës, vdiq në fundjavë si pasojë e një dëmtimi të rëndë në tru. Prokurori i Lionit, Thierry Dran, deklaroi se Deranque u sulmua nga të paktën gjashtë persona të maskuar. Sipas tij, policia po punon për identifikimin e autorëve dhe deri tani nuk është kryer asnjë arrestim.

Sulmi ndodhi të enjten, në periferi të një proteste kundër një konference universitare ku merrte pjesë Rima Hassan, eurodeputete nga partia e majtë La France Insoumise (LFI), e udhëhequr nga Jean-Luc Mélenchon.

Kolektivi kundër emigracionit “Nemesis”, i afërt me të djathtën ekstreme, po protestonte kundër kësaj konference. Nemesis deklaroi gjatë fundjavës se Deranque kishte qenë i pranishëm për të mbrojtur anëtarët e saj si pjesë e sigurisë dhe se ishte sulmuar nga aktivistë antifashistë.

Avokati i familjes së viktimës tha në një deklaratë për mediat franceze se studenti duket se ishte zënë në pritë nga “individë të organizuar dhe të trajnuar, shumë më të shumtë në numër dhe të armatosur, disa prej tyre të maskuar”. Në një prononcim për gazetën Le Monde, avokati shtoi se Deranque nuk ishte pjesë e strukturave të sigurisë së ndonjë organizate, nuk kishte precedentë penalë dhe i mbronte bindjet e tij politike “në mënyrë jo të dhunshme”.

Vdekja e tij ka thelluar ndarjet politike në Francë, në prag të zgjedhjeve vendore dhe garës presidenciale të vitit të ardhshëm. Partia LFI, e cilësuar nga Mélenchon si “e majtë radikale”, u etiketua zyrtarisht këtë muaj si “ekstrem i majtë” nga Ministria e Brendshme franceze, përpara zgjedhjeve lokale të marsit. LFI dhe lideri i Partisë Socialiste, Olivier Faure, kundërshtuan këtë klasifikim.

Të hënën, zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, akuzoi LFI-në se ka “inkurajuar prej vitesh një klimë dhune”. Ajo deklaroi për kanalin BFMTV se, “në dritën e klimës politike dhe të dhunës, ekziston një përgjegjësi morale nga ana e LFI-së” për sulmin e së enjtes.

Një video e transmetuar nga TF1, që pretendohet se tregon momentet e sulmit, shfaq një grup personash duke goditur tre të tjerë të shtrirë në tokë; dy prej tyre arrijnë të largohen, ndërsa njëri mbetet i palëvizshëm. Një dëshmitar i tha Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP): “Njerëzit po godisnin njëri-tjetrin me shufra hekuri.”

Në qytetin jugor të Montpellier dhe në Paris janë zhvilluar demonstrata të thirrura nga e djathta ekstreme në kujtim të Deranque. Në Paris, protestuesit shpalosën një pankartë me mbishkrimin: “Vrasës antifashistë, drejtësi për Quentin.”

vdekje perplasje france

Lini një Përgjigje