
Përballë shkëputjes strategjike të SHBA-së dhe rivalitetit me Kinën, Evropa duhet të përcaktojë sferën e saj të ndikimit. Një doktrinë e re mbrojtëse, është e vetmja rrugë për të shmangur shndërrimin e kontinentit në një fushë loje të fuqive të huaja...
Në një botë ku sferat e ndikimit po riformësohen vazhdimisht, nuk ka asnjë arsye pse Evropa të mos ketë të sajën. Nëse viti 1930 u konsiderua si periudha më e trazuar e shekullit XX - duke pasuar menjëherë Krizën e Madhe Ekonomike - viti 2025 mund të hyjë në histori si koha kur bota u përpoq dëshpërimisht të shmangte një katastrofë që ishte në prag.
Në fillim të këtij viti, përpjekjet e administratës Trump për të ushtruar presion mbi Venezuelën, për të neutralizuar presidentin e saj, apo edhe ambicia për të blerë Grenlandën, nuk mund të shihen më thjesht si çështje të brendshme të Hemisferës Perëndimore.
Kjo qasje jo vetëm që ka marrë përmasa shqetësuese, por përbën një sfidë madhore për të gjitha fuqitë globale, me pasoja potencialisht katastrofike. Arkitektura e brishtë e sigurisë kolektive po kriset dhe ekuilibri i fuqisë që ajo garanton po ndryshon njëherë e përgjithmonë.
Rivaliteti aktual nuk kufizohet vetëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës; ai është shtrirë tashmë mes dy versioneve të ndryshme të Perëndimit (SHBA-së dhe Evropës). Ky konflikt ka mbërritur në brigjet evropiane, ku rreziku kryesor mbetet shkëputja e mundshme e Uashingtonit nga NATO - një lëvizje që do të kërcënonte vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian.
NATO, aleanca transatlantike e krijuar në vitin 1949 si produkt i Luftës së Ftohtë, po duket befas si një strukturë anakronike. Pse duhet investuar gjak dhe burime për mbrojtjen e kufijve baltikë apo pavarësinë e Ukrainës, kur kërcënimet e sotme burojnë nga valët migratore prej jugut apo krizat ekonomike në Amerikën Latine?
Shtetet e Bashkuara po kërkojnë tashmë liri veprimi, duke argumentuar se barra fiskale dhe shtrirja strategjike janë bërë të papërballueshme. Ky proces, që nisi me reduktimin e trupave, pritet të prekë edhe shtyllat më të larta të solidaritetit aleat: strukturat e komandës, stërvitjet ushtarake dhe rrjetet e përbashkëta të inteligjencës.
Ndërsa këto lidhje dobësohen, tensionet pritet të rriten më tej. Përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për të krijuar një ushtri evropiane më të pavarur po nxjerrin në pah edhe përçarjet e brendshme të vetë BE-së. Bashkimi Evropian mbetet hallka më e ndjeshme e sistemit, veçanërisht pas Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes (SKM) të këtij viti, e cila sugjeroi se Evropa nuk duhet të aspirojë më rolin e një fuqie globale, por t’i përqendrojë burimet e saj brenda kontinentit.
Përtej pasojave të Brexit-it dhe rritjes së populizmit në Hungari dhe Itali, stabiliteti i BE-së kërcënohet drejtpërdrejt nga një “Doktrinë Monroe” amerikane që minon arkitekturën e sigurisë së NATO-s.
Marrëdhëniet tregtare transatlantike janë tejet të tendosura, ndërkohë që SHBA-ja po përqendrohet te aleancat hemisferike, duke rigjallëruar ndoshta Organizatën e Shteteve Amerikane për të sfiduar ndikimin kinez në Venezuelë dhe Brazil.
Eksportet evropiane rrezikojnë të përballen me tarifa hakmarrëse. Në këtë klimë, vendet e Evropës Jugore po shohin drejt marrëveshjeve mesdhetare, ndërsa ato veriore favorizojnë koalicionet nordiko-baltike - zhvillime këto që kërcënojnë unitetin e tregut të përbashkët.
Pyetja që shtrohet është: në çfarë kushtesh mundet që një Amerikë e shkëputur të shërbejë si katalizator për një Evropë më të fortë? Evropa i ka mjetet, por asaj i mungon vullneti politik.
Së pari, ajo duhet të pranojë se i nevojitet versioni i saj i Doktrinës Monroe: një kornizë që përcakton qartë sferën e saj të ndikimit, duke përfshirë anëtarët e BE-së, territoret e lidhura si Grenlanda, dhe rajonet strategjike si Ballkani Perëndimor dhe Partneriteti Lindor.
Së dyti, pjesët e mbetura të NATO-s pas një tërheqjeje të mundshme të SHBA-së, duhet të integrohen në një strukturë të re të Sigurisë dhe Politikës së Përbashkët, për të krijuar një bashkim mbrojtës evropian të mirëfilltë.
Mbetet të shihet nëse ky proces i “uljes së rrezikut” mund të vazhdojë pa u mbështetur te Uashingtoni, duke krijuar një model hibrid ku Evropa menaxhon në mënyrë autonome kërcënimet territoriale.
Rreziku i vërtetë është se një shpërbërje e ngadaltë mund të prodhojë një mozaik mini-aleancash - një bllok Vishegradi këtu, një bosht franko-gjerman atje - duke e bërë secilin prej tyre të ndjeshëm ndaj presioneve të jashtme.
Historia na mëson se kur aleancat dobësohen me shpejtësi, siç ndodhi gjatë periudhës izolacioniste mes dy luftërave botërore, rreziku i një konflikti të madh rritet ndjeshëm.
Së treti, Evropa duhet të tregojë unitet përmes një vendosmërie kolektive, ashtu siç bëri me sanksionet ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Për të pasur sukses, ajo duhet të tejkalojë dallimet e brendshme dhe të konkretizojë idenë e ushtrisë evropiane, të propozuar nga Presidenti Emmanuel Macron.
Së katërti, Evropa duhet të vlerësojë ndryshimet gjeopolitike dhe të shfrytëzojë fuqinë e saj ekonomike për t'iu kundërvënë si SHBA-së, ashtu edhe Kinës. Një deklaratë e ngjashme me Doktrinën Monroe do të forconte pozitën negociuese të kontinentit, duke mundësuar një reagim të koordinuar përmes Instrumentit Anti-Shtrëngues të BE-së ose tarifave reciproke.
Kjo qasje do të shërbente si mburojë ndaj sanksioneve ekstraterritoriale amerikane dhe do të mbronte industritë jetike, si teknologjinë dhe mbrojtjen. Sa i përket Kinës, kjo doktrinë do të adresonte varësinë kritike nga lëndët e para dhe mallrat e prodhuara. Evropa mund të kërkojë reciprocitet, duke bllokuar mjetet shtrënguese ose kapacitetet e subvencionuara nga shteti kinez në sektorë si makinat elektrike dhe energjia diellore, duke përdorur mekanizmat e saj rregullatorë.
Pavarësisht diskutimeve për Arktikun apo planet afatgjata të mbrojtjes, rezultati final do të varet nga diplomacia dhe aftësia për t’u përshtatur. Nëse rihapet kriza e Grenlandës, skenari më i mundshëm është një Evropë gjysmë-autonome: e aftë të përballojë krizat rajonale, por ende e varur nga SHBA-ja për mbështetje strategjike. Në planin afatgjatë, ky model hibrid mund ta ndryshojë lidhjen transatlantike duke i ndarë përgjegjësitë në mënyrë më të drejtë. Në skenarin më pesimist, Evropa duhet të jetë gati të mbrojë me çdo kusht veten.
Kjo kërkon jo vetëm ndryshim toni, por pranim të realitetit: marrjen e përgjegjësisë
së plotë për shpenzimet ushtarake dhe kapacitetet mbrojtëse. Një “Doktrinë Monroe Evropiane” do ta bënte më realiste ambicien globale të kontinentit. Pa të, Evropa rrezikon të mbetet thjesht një fushë loje për interesat e fuqive të tjera./Përshtati Pamfleti nga “National Interest”
Shënim: Eric Alter është dekan i Akademisë Diplomatike “Anwar Gargash” në Abu Dhabi, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe diplomacisë.
Lini një Përgjigje