TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Qershor 2026, 11:55

Vrasja e 4 ushtarëve, ministrat izraelitë kërkojnë hakmarrje: I gjithë Libani duhet të digjet!

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e 4 ushtarëve, ministrat izraelitë kërkojnë
Itamar Ben-Gvir merr pjesë në një seancë në parlamentin izraelit në Jerusalem, më 20 maj

Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar sërish, pasi katër ushtarë izraelitë u vranë nga një pajisje shpërthyese e vendosur nga grupi militant në territorin e Libanit jugor.

Pas ngjarjes, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, reagoi me deklarata të ashpra, duke kërkuar një përgjigje të fortë ushtarake ndaj Libanit. Në një postim në rrjetin social X, Ben Gvir deklaroi se sulmi ndaj ushtarëve izraelitë duhet të pasohet nga një kundërpërgjigje e ashpër.

“Për çdo lot të derdhur nga një nënë izraelite, një mijë nëna libaneze duhet të qajnë. I gjithë Libani duhet të digjet”, shkroi ai.

Ministri i ekstremit të djathtë ka kërkuar edhe më herët zgjerimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, përfshirë goditje ndaj kryeqytetit Bejrut, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për vetëpërmbajtje.

“Me gjithë respektin e duhur për amerikanët, Izraeli duhet t’ia bëjë të qartë të gjithë botës se gjaku i bijve tanë dhe siguria e qytetarëve tanë nuk janë të sakrifikueshme”, deklaroi ai.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i cili bëri thirrje për intensifikimin e operacioneve ushtarake. “Është koha për të folur me zjarr. Për të hapur portat e ferrit”, shkroi Smotrich në X.

Ndërkohë, forcat izraelite vijojnë të mbajnë nën kontroll zona të gjera në jug të Libanit. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar më herët se Izraeli nuk ka ndërmend të tërhiqet nga territoret e pushtuara, duke lënë të hapur mundësinë e një konflikti më të gjerë në rajon.

Lini një Përgjigje