TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Dhjetor 2025, 20:47

Vuçiç dikur shikonte Sheshelin si Zot, sot sheh Putinin!

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç dikur shikonte Sheshelin si Zot, sot sheh Putinin!

Kur politika kthehet në psikologji: Vuçiç, Putini dhe kompleksi i vartësisë

Në një nga momentet më të errëta të diplomacisë moderne të Ballkanit, Serbia ka zgjedhur të mos marrë pjesë fare në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një rezolutë që dënon deportimin e detyruar të fëmijëve ukrainas në Rusi, një akt që bota demokratike e cilëson me të drejtë si një nga krimet më të rënda të këtij shekulli.

Ndërkohë që 91 vende votuan në favor të rezolutës, përfshirë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian dhe shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia zgjodhi të heshtë.

Më saktë: zgjodhi të largohet nga salla, në një gjest që nuk është as neutralitet, as pragmatizëm, por nënshtrim i pastër ndaj vullnetit të Moskës.

Ambasada e Ukrainës në Beograd reagoi me maturi, duke kujtuar se Serbia si vend kandidat për BE duhet të mbështesë vlerat themelore të njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare. Por ajo që ndodhi flet më shumë se çdo deklaratë: një vend që aspiron Evropën, u rreshtua në heshtje me Rusinë, përballë një krimi që nuk ka justifikim.

Shumëkush mund të thotë se ky është rezultat i presionit energjetik rus, i varësisë nga gazi dhe kompania NIS. Por ajo që ngrihet mbi këtë varësi është një e vërtetë më e thellë dhe më e dhimbshme: politikëbërja serbe nuk udhëhiqet nga vlera, por nga frika dhe nënshtrimi personal.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë në Serbi, si Robert Kozma dhe Aleksandar Olenik, e kanë thënë qartë: Vuçiç nuk vepron si një lider që mbron interesin e vendit, por si një njeri i përulur para autoritetit të një njeriu tjetër – Vladimir Putinit. Njësoj siç dikur e shihte Sheshelin si figurë të shenjtë politike, sot Vuçiç e trajton Putinin si autoritet suprem të jashtëm. Dhe kur varësia personale bëhet politikë shtetërore, vendi përfundon i zhveshur nga çdo moral dhe dinjitet.

Kjo nuk është thjesht një “mosvotim”. Është braktisje e një minimumi njerëzor, dënimit të rrëmbimit të fëmijëve. Serbia sot nuk ka mundësi as të dënojë një akt që çdo shoqëri e civilizuar do ta përbuzte pa hezitim.

Në këtë heshtje, Serbia e humbi edhe një herë rastin për të dëshmuar se është një vend që përpiqet t’i përkasë Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe moralisht. Në vend që të bashkohet me fqinjët si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina, të cilët votuan pro rezolutës, Beogradi zgjodhi të qëndrojë në hije, në heshtje, në turp.

Dhe kjo heshtje është më e zhurmshme se çdo “po” apo “jo”. Sepse është heshtja e një politike të kapur nga komplekset, e një diplomacie pa guxim dhe e një lidershipi që ka frikë t’i thotë “jo” një despoti, por nuk ngurron t’i kthejë shpinën viktimave të tij. /Përshtati “Pamfleti” nga “Danas”

Lini një Përgjigje