
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur rreth takimit që zhvilloi ditën e djeshme në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Vuçiç tha se ka shumë ide, por sipas tij nuk mund të gjesh zgjidhje, kur flet me njerëz që nuk kërkojnë zgjidhje, duke iu referuar qeverisë në Prishtinë.
“Mund të ishim ulur dhjetë orë. Kam frikë se do të ishte e vështirë të gjesh një zgjidhje kur flet me njerëz që nuk kërkojnë zgjidhje, kur flet me njerëz nga Prishtina që kërkojnë arsye për konflikte dhe sulme ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës”, u shpreh ai.
Vuçiç theksoi se këto gjëra “nuk i thotë rastësisht”, sepse sipas tij dëshira e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është që t’i “dëbojë” serbët nga atje.
"Mos ta përmend sa mijëra kilometra jemi larg nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prishtinës nuk i shkon mendja që kjo të ndodhë”, tha Vuçiç.
Lajçak ka njoftuar në profilin e tij në rrjetin social X, të njohur më parë si Twitter, se më 30 gusht kishte diskutuar me Vuçiçin për “takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara gjatë dialogut”.
Ky takim u zhvillua pasi Lajçaku më 28 gusht njoftoi se kishte një “takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në margjinat e Forumit Strategjik të “Bled”-it, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës të nivelit të lartë, i cili planifikohet të mbahet në shtator.
Më 30 gusht, Bashkimi Evropian përsëriti thirrjen e tij drejtuar Kosovës dhe Serbisë për t’i krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lini një Përgjigje