TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Shkurt 2026, 17:57

Zelensky sfidon Kremlinin: Jemi gati për kompromise të vërteta, s'pranojmë ultimatume nga rusët!

Shkruar nga Pamfleti

Zelensky sfidon Kremlinin: Jemi gati për kompromise të vërteta,

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kievi është i gatshëm për “kompromise të vërteta” në kuadër të negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, por ka përjashtuar çdo marrëveshje që cenon pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

Zelensky u shpreh sot se Ukraina nuk do të pranojë “ultimatume nga rusët”, pavarësisht gatishmërisë për dialog.

“Qëndroni aty ku qëndrojmë ne, ky është një kompromis i madh”, tha Zelensky, duke lënë të kuptohet se Ukraina ka ofruar si opsion ngrirjen e linjave aktuale të konfliktit në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Zelensky theksoi se Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, ndërsa shtoi se gatishmëria për të diskutuar paqen në këto kushte përbën, sipas tij, një lëshim të konsiderueshëm nga ana e Kievit.

“Ata morën pothuajse 20% të territorit tonë dhe ne jemi të gatshëm të flasim për paqen në këtë moment. Ky është një kompromis i madh. Por jo kompromise me koston e pavarësisë dhe sovranitetit tonë”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas shtoi se vendi i tij është i hapur për kompromise në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, por jo përballë kërkesave të njëanshme të Moskës, të cilën e cilësoi si agresore.

Bisedime të vështira në Gjenevë

Deklaratat e Zelenskyt vijnë pas përfundimit, të raundit të tretë të bisedimeve në Gjenevë, më 18 shkurt, mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

I dërguari amerikan Steve Witkoff shprehu optimizëm pas takimit dyorësh, por si pala ruse ashtu edhe ajo ukrainase e cilësuan procesin si “të vështirë”. Palët mbeten të ndara për çështje kyçe, përfshirë kontrollin territorial dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm.

Moska kërkon kontroll të plotë mbi rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut në Donbas, një kërkesë që Kievi e ka refuzuar vazhdimisht, duke e konsideruar si heqje dorë nga territor sovran.

Një tjetër pikë përplasjeje mbetet statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i cili ndodhet në vijën e frontit dhe është nën kontrollin rus që prej marsit 2022.

Lini një Përgjigje