Vdekja e një 15-vjeçari në një pishinë në Gjirokastër ka rikthyer vëmendjen te kushtet e sigurisë në subjektet që ushtrojnë aktivitete publike. Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, deklaroi se ngjarja do të hetohet me kujdes dhe se çdo shkelje e konstatuar do të pasohet me masa administrative dhe ligjore.
Sula shprehu ngushëllime për familjen e të miturit, ndërsa theksoi se roli i institucioneve është parandalimi i ngjarjeve të tilla.
“Padiskutim që ngjarja duhet të verifikohet. Do të ndalemi dhe në këtë rast dhe nëse nuk janë plotësuar kushtet që duhet të ketë një subjekt në përmbushje të aktivitetit të tij, do të ketë penalitete që i takojnë kushdo qoftë ai. Ngjarja është fatkeqësi dhe ngushëllime familjes. Detyra jonë është të parandalojmë. Për rastin, kushdo subjekt qoftë ai, nëse ka shkelur ligjin dhe nuk ka plotësuar të gjitha kushtet do të merren masa konkrete nga gjoba, pezullimi apo mbyllja e aktivitetit”, deklaroi Sula.
Këto komente u bënë gjatë një takimi me përfaqësues të inspektorateve rajonale në Qarkun e Elbasanit, ku Kryeinspektori trajtoi edhe çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e ligjit nga subjektet ekonomike.
Sula ngriti shqetësimin për ndotjen dhe dëmtimin e lumenjve Shkumbin dhe Devoll, duke theksuar se ndërhyrjet e pakontrolluara dhe abuzimet me lejet mjedisore kanë shkaktuar pasoja të rënda ndër vite.
Sipas tij, veçanërisht problematike paraqitet situata në lumin Shkumbin, ku janë konstatuar dëmtime që lidhen me aktivitetet e kompanive të angazhuara në ndërtimin e Korridorit 8. Ai paralajmëroi se çdo subjekt që cenon mjedisin do të përballet me masa të forta, përfshirë revokimin e licencave.
Kryeinspektori njoftoi gjithashtu se po përgatitet një reformë në sistemin e inspektimeve, me synimin për të shmangur mbivendosjen e kompetencave mes institucioneve dhe për të rritur efektivitetin e kontrolleve.
Sipas tij, përgjegjësia nuk do të kufizohet vetëm te subjektet që shkelin ligjin, por edhe te inspektorët që tregojnë neglizhencë ose nuk zbatojnë detyrimet që u ngarkon ligji.
Në fund, Sula u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje që konstatojnë në fushën e sigurisë ushqimore, ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit që kur konstatojnë shkelje, sidomos për AKU, IKMT dhe Mjedisin, duhet të na informojnë. Çdo ankesë, denoncim dhe sinjalizim na ndihmon shumë”, tha ai.
Lini një Përgjigje